Nga Jakin Marena
Sali Berisha, pas një ‘agjërimi’ të plotë politik pa dalë jashtë vendit, më në fund ka ‘prekur’ tokën gjermane, pasi ka marrë leje nga SPAK, i cili e pret në ‘apel’ dy herë në muaj. Kjo për shkak se Gjykata e Posaçme ka dhënë masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ pre kreun e PD.
Drejt Gjermanisë, Berisha ka urdhëtuar bashkë me bashkëshorten e tij Lirie Berisha dhe djalin Shkelzen. Është parë qoftë në avion, qoftë dhe në aeroportin gjerman nën shoqërinë e tyre.
Dikush mund të thotë se plak njeri, dhe në këtë moshë, 80 vjeç sa është Berisha, i duhet ndihma në çdo rast. Pasi dhe bashkëshorten e ka mjeke. Ndërsa djali, është për të lëvizur valixhet, për të orientuar hipjen në avion dhe procedura të tjera të këtij lloji, që janë të domosdoshme, si ndihmë për një njeri të shkuar në moshë sikurse është Berisha. Mirë kanë bërë familjarët që e mbajnë nën mbikqyerje në lëvizjet jashtë vendit.
Deri këtu, pra udhëtimi familjar drejt Gjermanisë duket në rregull. Por situata komplikohet kur kjo dalje jashtë vendit tentohet të ‘shitet’ si një vizitë zyrtare e kreut të PD në kongresin elektoral të CDU gjermane, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të parakohëshme në këtë vend pas humbjes së votëbesimit të kancelarit Scholz, atëherë situata komplikohet shumë.
E themi këtë sepse në radhë të parë, nuk mund të ketë kurrsesi një vizitë zyrtare të një udhëheqësi politik në një kongres elektoral partie, ku në përbërje të delegacionit të jenë bashkëshortja e djali, të cilët sëpaku zyrtarisht Liria është pensioniste e nderuar ndërsa Shkelzeni i paangazhuar.
Nuk po hyjmë në ‘qerthullin’ e përllogaritjeve se kush i paguan shpenzimet, pasi tashmë është pranuar si një ‘aksiomë’, pa vertetim, se Shkelzeni ka ‘punuar’ sekser gjatë qeverisjes 8 vjeçare të babait kryeministër, dhe aktualisht merret dhe me ndonjë biznes, ku në sipërfaqe ka dalë vetëm ai i boronicave në Gërdec. Po këto janë punë të drejtësisë dhe me sa dimë ka nisur një hetim pasuror për Berishën dhe familjen e tij, dhe për këtë do të ketë besojmë një verdikt final. Nëse kanë këllqe këta të SPAK për të hetuar Berishën dhe Gjykata e Posaçme për të vendosur.
Për t’u rikthyer tek pjesëmarrja e Berishës në kongresin elektoral të CDU, atij iu bashkuan me krenari dhe Albana Vokshi e Tomorr Alizoti, ia vlen të theksojmë se kongresi është i hapur për të gjithë dhe mjafton një e-mail për të deklaruar prezencën e mbyllet ky muhabet. Dhe ai takimi ‘rrëshkitasi’ i Berishës me kandidatin për kancelar të CDU, na rikthen në kohën e paradisa viteve kur ishte një armatë e tërë fotografësh në gatishmëri dhe në të gjitha këndet, për të kapur nëpër koridore ndonjë takim të Berishës apo dhe zyrtarëve të tjerë me udhëheqësit politikë.
Për hir të së vërtetës, duke ditur se kandidati për kancelar në Gjermani i CDU, Friedrich Merz e ka ‘rrezen e shikimit’ shumë të shkurtër, më pak se 1 metër, dhe mjerisht as që e ka ditur kujt i ka dhënë dorën sepse i takonte të gjithë në radhë ashtu rutinë, por dhe për shkak se Berisha ka shumë vite që ka humbur nga ‘radarët’ e politikës aktive tek simortrat e PD në Evropë, por dhe sepse është shpallur non grata nga SHBA e Britania dhe është konsideruar i padëshirueshëm për të djathtët e PPE dhe nga CDU gjermane, takimi i kreut të PD në sallën e kongresit të CDU nuk ka asnjë vlerë për shqiptarët e për zgjedhjet në Shqipëri. Janë ftilluar shqiptarët, nuk mashtrohen më kaq lehtë. Ndaj themi se kjo vizitë nuk ka asnjë impakt poltiik, ka qënë thjeshtë familjare.
Por ndajmë të njejtin mendim me shumë mendje të qëndrushme shqiptare se Berisha ka të gjithë të drejtën e Zotit që të dalë për vizitë jashtë vendit, për të bërë pushime, për t’u relaksuar, për të hequr mendjen për pak ditë nga politika aktive në Tiranë. Pasi është e vështirë për një njeri të shkuar në moshë siç është Berisha, mbi 80 vjeç që të qëndrojë gjithë ditën live nëpër TV, në zyrë apo të bëjë takime politike lart e poshtë. Eshtë normale dhe të jetë i shoqëruar nga familjarët, se plak njeri është dhe udhëtimit nuk i dihet, me avionë, aeroporte, rrugë, lëvizje. Janë shumë!
Ka nevojë dhe për ndonjë vizitë mjekësore, kontroll të përvitshëm sepse mosha bën të veten, dhe bashkëshortja Liri si mjeke që është mund të kujdeset për letrat, kartelat mjekësore, për t’i ngritur rrobat gjatë vizitës, për ta shoqëruar, hequr këpucët e gjëra të tjera të këtij lloji. Ndërsa Shkelzeni për të paguar faturat. Janë angari këto për një njeri të mësuar me kasavete të tilla, jo më për Berishën që për 34 vite me radhë sëpaku se ka idenë e pagesave, lekut, çmimeve të vizitave etj. Pavarësisht se ka qënë ‘leku letër’ për të! I ka pasur me shumicë, kuptohet përmes fëmijëve.
Pasi vajza Argita aplikoi një ‘tarifë suksesi’ prej 3% për të gjitha bizneset që drejtoheshin tek ajo për shërbime ligjore, që të fitonin tenderat apo të merrnin koncesione nga babai kryeministër Sali Berisha. Dhe për të mbaruar punë, kishte radhë të gjatë tek studioja e saj ligjore. E ka zbuluar biznesmeni pakistanez që nuk pranoi ta paguante këtë taksë dhe për pasojë mbeti ‘thatë’ në kërkesat e tij. Dhe me këtë studio dilnin miliona euro, jo lekë. Ndërsa djali Shkelzen ishte zyrtarisht sekser, kishte dhe ka miliona, pavarësisht se nuk i ka thënë askush ‘puna e mbarë’ deri më sot, ndonëse është tek të 50-tat. Nuk po zgjatemi më tej në informacionet për të, ka biznese dhe sikurse thamë po hetohet, sikurse dhe Argita për pasurinë. Janë punë të SPAK këto sikurse nënvizuam dhe nuk mund t’i diskutojmë.
Por ajo që na bën habi, është fakti se Berisha ka ndryshuar klinikë. Ishim mësuar rëndom që sa herë kishte probleme mjekësore apo kishte ndonjë kontroll rutinë shëndetësor, Berisha shkonte në Austri. Më saktë në spitalet më të mira të Vjenës, të cilat ia afronin këtë shërbim dhe duke ardhur vetë në Tiranë në disa raste. Ishte pacient i rregullt dhe kishte krijuar kontakte të forta Berisha me një nga spitalet më të njohura të Austrisë, në Vjenë, ku mjekët ushtronin kontrollin kapital shëndetësor që nga sëmundjet e moshës e deri tek sëmundja e kahershme të Berishës.
Berisha, nuk është sekret kjo, vuan nga çrregullimet e personalitetit, ndryshimet e menjëhershme të humorit, kalimi nga humori në gjendje agresive më pas, dhe qarjet me dënesë për minuta të tëra. Berisha është i sëmurë nga një sëmundje që i kap jo rrallë personat në moshë mbi 60 vjeç, tashmë është mbi 80 vjeç, dhe që quhet DEMENTIA(http://en.ëikipedia.org/ëiki/Dementia (link is external)). Pacientët që vuajnë nga një sëmundje e tillë, e kanë të pamundur ta pranojnë se ajo është diagnoza e tyre. Aq më pak të pranojnë se janë të sëmurë dhe pikërisht ky fakt e mban Berishën në këmbë. Duke kërkuar me insistim që të mbështetet me ilaçe që të qëndrojë aktiv.
Pra Berisha gjithnjë e bënte ‘remontin’ kapital shëndetësor për t’u përgatitur për zgjedhjet, sa herë që kishte gara elektorale, vendore ose parlamentare, në Austri, për vite e vite me radhë. Por vitet e fundit ka ndryshuar destinacion Berisha. Në vend të Austrisë, ish kryeministri demokrat ka zgjedhur tashmë Gjermaninë, anipse Vjena është ‘baba’ dhe ‘nëna’ e mjekësisë kaherë e mot dhe këtë e ka shfrytëzuar në maksimum Berisha.
Dikur thuhej se Berisha shkonte në Austri për kontroll mjekësor përpos faktit se aty është ‘ajka’ e mjekësisë, dhe për faktin se aty studionte supermbesa e tij Desara, vajza e madhe e Argita dhe Jamarbër Malltezit. Ha diskutim një shpjegim i tillë, pasi supermbesa e Berishës ishte në lice asokohe, që përkon me shkollën e mesme në fillim të herës dhe nuk është se mund të kujdesej shumë për gjyshin e saj kryeministër. Punë moshe kjo!
Lëvizjen drejt Gjermanisë për kontrollet mjekësore, në korridoret e PD e shpjegojnë me faktin se supermbesa tashmë është instaluar përfundimisht në Gjermani me banim, e Berisha shkon pikërisht aty ku është sistemuar ajo. Kjo ka marrë trajtë ligjore dhe për faktin se vajza e Argita e Jamarbër Malltezit ka blerë dhe shtëpi në Gjermani e janë bërë transferta parash në masën e 460 mijë eurove nga ana e babait Jamarbër në bankat gjermane. Duke qënë se nuk bën asnjë punë, kjo ka sjellë dhe hetimin nga organet ligjzbatuese gjermane se nga e kanë burimin këto të ardhura. Dhe për më tepër këto transferta parash pa burim janë futur dhe në dosjen e hetimit të SPAK për Jamarbër Malltezin, në lidhje me aferën e “Partizanit” për të cilin është nën arrest shtëpiak, për korrupsion. Korruptoi vjehrrin Sali Berisha, duke i lënë në shpinë akuzën e korrupsionit pasiv, por përfitoi plot 5.4 milionë euro, me kompleksin e pallateve te “Partizani”.
E thënë më thjeshtë, familja Berisha ka shtëpi në Gjermani. E blerë në emër të supermbesës Desara Malltezi. Shkojnë të gjithë familjarët atje, shkon dhe vetë Sali Berisha. Nuk harxhon për hotele. Madje dhe Jamarbër Malltezi kur u ndalua në Rinas, nga Gjermania vinte. Dhe të gjitha pushimet e familjes Berisha tashmë janë gjermane. Nuk ka pse ka më komplekse për këtë fakt. Familja Berisha akuzohet se ka blerë shtëpi dhe në Belgjikë, Holandë, Austri, Francë, Hungari, përpos Gjermanisë. Thuhet se ka dhe në Greqi, në Athinë krah banesës së Mitsotakis. Gojët e liga në PD e thonë për mburrje që “Marshalli është komshi me Mitsotakis”. Mbetet të hetohet nga SPAK për të dhënë verdiktin për këto pasuri, meqë po heton në këtë ‘sektor’për Berishën.
Dhe në fund të herës Berisha nuk ka pse kompleksohet për udhëtimin familjar drejt Gjermanisë. Shkon për kotroll mjekësor apo për pushime, larg rrëmujës së Tiranës, tashmë që dhe vila në Gjirin e Lalzit është sekuestruar nga drejtësia, s’ka pse i justifikon këto lëvizje drejt Gjermanisë me kongrese rutinë elektorale partish apo për takime me diasporën në funksion të zgjedhjeve. Takime që nuk i realizoi. Eshtë ‘rezident’ familjarisht në Gjermani Berisha, ka shtëpi, katandi, ka hapur dhe kartelë mjekësore ndoshta aty, trajtohet si i privilegjuar.
Nuk besoj se Berishën do ta akuzojë ndokush, sado dashakeq të jetë, se ka shkuar për të zhbllokuar ndonjë kontratë apo hedhur ndonjë firmë për transferta parash apo për prona në bashkëpronësi. Berisha s’ka as shtëpi me letra, madje ka ‘humbur’ dhe apartamentin që kishte në ‘Brrakë’ të përfituar nga koha e komunizmit. Ndoshta mund të japë ndonjë mbështetje me prezencën e tij, për familjarët. Mund të shërbejë dhe si ‘kolateral’ politik për ndonjë biznes apo për të blerë banesa të tjera nga familjarët në Gjermani. Vetë Berisha hyn e del me duar në xhepa. Eshtë ‘kaluar’ në këtë proces. Familjarët paguajnë në fakt për të. Madje deri në 600 mijë euro si në gjyqin për heqjen e ‘non gratës’ në Britani. Ja pse Berishët janë ‘rezidentë’ në Gjermani! Por dhe në kryeqytetet më të njohura të Evropës. Përjashtim bën SHBA.