Analisti Dritan Hila, i ftuar në studion e “Open”, ka komentuar përmendjen e arrestimit të Sali Berishës gjatë një komisioni të departamentit DOGE në Kongresin Amerikan.

Sipas Hilës, përmendja e ish-kryeministrit shqiptar ishte e përciptë dhe e ndikuar nga lobimi, duke hedhur dyshime mbi interpretimin e ngjarjes.

“Të thuash që u ngrit një drejtësi e re për të goditur Berishën kërkon hetim,” tha ai, duke theksuar se reforma në drejtësi nuk ishte projekt vetëm për Shqipërinë, por për gjithë rajonin, duke përfshirë Kroacinë, Rumaninë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ai theksoi gjithashtu se Berisha u vendos në arrest shtëpiak për mosrespektim të vendimit të detyrimit të paraqitjes, duke argumentuar se situata në Shqipëri ka qenë më pak “bërtitëse” krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.

“Berisha u përmend shkarazi për shkak të një lobimi. Ajo që doli në seancë ishte shumë e përciptë sepse të thuash që u ngrit një drejtësi e re për të goditur Sali Berishën më duket se kjo kërkon një hetim. Duke u nisur nga fakti që projekti për drejtësinë nuk ka qenë vetëm për Shqipërinë, por gjithë Ballkanin. Ka vepruar në Kroaci, në Rumani, në RMV dhe në fund në Shqipëri. Madje në Shqipëri është më pak bërtitëse, se Berisha u vu në arrest shtëpiak se nuk respektoi vendimin e detyrimit të paraqitjes”, u shpreh ai.