Paçka se ka një kontratë me kombëtaren shqiptare të futbollit deri në dhjetorin e këtij viti, pra për fundin e kualifikueseve të Botërorit 2026, trajneri Sylvinho është i kërkuar në treg.
Gazetari Uilson Pimentel nga RTI Esporte në Brazil bën me dije se është klubi i Botafogos që ka kontaktuar me Sylvinhon. Ka qenë vetë pronari John Textor që të martën e 11 shkurtit e ka kontaktuar trajnerin dhe kanë folur në video-telefonatë, pikërisht për të shprehur interesin e klubit brazilian.
Ende nuk ka një ofertë konkrete për Sylvinhon, por sipas medies në fjalë në “pole-position” për rolin e trajnerit të Botafogos është Roberto Mancini.
Botafogo vazhdon kërkimin për një trajner të ri që nga largimi i Artur Jorge, kampion i Copa Libertadores dhe kampionatit brazilian me ekipin nga Rio de Janeiro.
Më parë Sylvinho ka qenë trajneri i Corinthians, rivalit të Botafogos.