Safet Bajri në emisionin ‘Top Story’ foli për masakrën e Dobraçit me katër të vrarë, ku mbeti viktimë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy kalimtarët Bashkim dhe Flutura Basha. Ai tha se nuk ka patur asnjëhere probleme dhe konflkte me familjen Lici. Më tej ai shtoi se njerëzit kanë shoqëri të ndryshme duke u shprehur se ai ka raporte të mira me Asmer Bilalin, pavarësisht problemeve që ai ka me familjen e Licve.
“Asnjëherë në jetë nuk kemi pasur probleme me familjen Lici. Njerëzit kanë shoqëri të ndryshme, kur ta votojë parlamenti dhe të më caktojnë mua se kë të kem shok atëherë unë nuk rri se po shkel ligjin. Konflikti me familjen Lici nuk ekziston, njerëzit mund të kenë inat pse unë kam shok x apo y… Unë Asmer Bilalin e kam shok dhe nuk e mohoj. Kurrë në jetë nuk i kam ndërhyrë në probleme dhe as nuk e lejoj të më ndërhyjë në problemet e mia”, tha Bajri.
Masakra e Dobraçit ndodhi pasditen e 30 tetorit, kur 4 persona i zunë pritë automjetit në të cilin po udhëtonte Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës dhe një person i tretë që është përfolur të ketë qenë vetë Ibrahim Lici, i cili mendohet se ka qenë dhe shënjestra e atentatit. Megjithatë, kjo e dhënë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Kjo masakër u kushtoi jetën edhe dy kalimtarëve të rastit, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët po ktheheshin nga puna në shtëpi, kur motoçikleta e tyre u përplas nga “Benzi” i Hamza Licit që kishte humbur jetën në timon. Flutura ndërroi jetë në vend, ndërsa Bashkim Basha ndërroi jetë në spital.