Policia e Beogradit arrestoi kryetarin e Obrenovcit dhe 14 persona të tjerë për korrupsion me urdhër të prokurorisë së përgjithshme. Arrestimi i kryetarit të komunës së Obrenovcit, Milorad Grcic, ka të bëjë me periudhën 2016-2022, kur ai shërbeu si menaxher i përgjithshëm i Ndërmarrjes Publike të Energjisë Elektrike të Serbisë-EPS. Siç njoftoi prokuroria, “ai konsiderohet i dyshuar për shpërdorim detyre gjatë tenderit të prokurimit material, marrje ryshfeti dhe vepra të tjera penale” me të cilat i ka shkaktuar një dëm sektorit publik në mbi një milion euro. Arrestimet e të dyshuarve të tjerë kanë të bëjnë me të njëjtin rast.
Vihet re se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka njoftuar rreth dhjetë ditë më parë operacione policore kundër korrupsionit, me sa duket për të zbutur zemërimin e studentëve dhe shoqërisë. Opozita ankohet se prokuroria dëshmon edhe një herë se i shërben interesave politike të Vuçiqit dhe reagon vetëm kur i kërkohet. Rasti i korrupsionit në ndërmarrjen publike të energjisë elektrike – EPS ka filluar të hetohet në vitin 2019-20, tha prokurorja Bojana Savovic për rrjetin televiziv N1. Ajo po heton një rast për përvetësimin e 7.5 milionë dollarësh në EPS, por siç raporton, çështja e saj u tërhoq dhe me vendim politik u largua nga prokuroria që merrej me luftën kundër korrupsionit.
Milorad Grcic është një anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet. Në vitin 2012, me ardhjen në pushtet të SNS-së, ai u emërua drejtor i përgjithshëm i minierave të linjitit EPS “Kolubara” në Obrenovc. Reagime dhe komente tallëse ka ngjallur fakti që ai nuk ka paraqitur një diplomë universitare që do të justifikonte emërimin e tij në këtë detyrë. Për opozitën, ai njihej si drejtori i minierës më të madhe të linjitit në vend, lidhja e vetme e tij me qymyrin (linjitin) ishte se ai kishte një skarë barbekju para se të hynte në politikë.
Kjo nuk e pengoi promovimin e tij dhe në vitin 2016 ai u emërua nga kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Republikës Aleksandar Vuçiq si Drejtor i Përgjithshëm i Ndërmarrjes Publike të Energjisë Elektrike të Serbisë. Më pas ai paraqiti një diplomë të shkollës së larte nga një universitet privat me bazë në një qytet të vogël në Serbi.
Keqmenaxhimi dhe emërimi i drejtuesve të pakualifikuar në postet kyçe në miniera çoi, në dhjetor 2021, në ndërprerjen e prodhimit të energjisë elektrike, pasi u bë një vlerësim i gabuar i nëntokës dhe minerali me karbon të ulët arriti në njësitë e prodhimit. Në atë kohë 136 mijë banore mbetën pa energji elektrike dhe Serbia u detyrua të importojë energji elektrike nga jashtë. Nën presionin e opinionit publik, ai dha dorëheqjen një muaj më vonë, por mori detyrën si nënkryetar i komunës së Obrenovcit. Në zgjedhjet e korrikut 2024, ai u zgjodh kryetar i qytetit me Partinë Përparimtare Serbe.