Shtetet e Bashkuara janë shprehur të shqetësuara për mbylljen e qendrave për punë sociale të drejtuara nga Serbia në veri të Kosovës.
Në një reagim ambasada amerikane në Prishtinë thotë se mbyllja ka qenë e papritur dhe e pakoordinuar.
Në një postim në rrjetin social X, ambasada thekson se këto veprime të ngjashme ndikojnë negativisht te mijëra qytetarë të Kosovës dhe rrezikojnë krijimin e pasojave të dëmshme për të ardhmen e vendit në Evropë dhe për marrëdhëniet bilaterale.
Qeveria e Kosovës mbylli katër objekte të qendrës për punë sociale te drejtuara nga Serbia, për shkak të dyshimit se aty janë kryer “veprime të paligjshme lidhur me procesin zgjedhor”.
Policia e Kosovës kreu kontrolle në objektet e Qendrave për punë sociale pasi katër punonjës të kësaj Qendre në Zubin Potok ishin arrestuar më 8 shkurt për “shkelje të vullnetit të votuesve”.
Në një deklaratë policia sqaroi se këta zyrtarë dyshohet se kanë telefonuar qytetarët dhe i kanë kërcënuar, apo u kanë treguar se si të votojnë, duke i kushtëzuar me pagesën e ndihmës sociale.
Megjithatë ky veprim i qeverisë së Kosovës ka tensionuar sërish marrëdhëniet me aleatët perëndimorë.
Edhe Bashkimi Europian i bëri thirrje Kosovës që mos t’i mbyllte strukturat në fjalë dhe që statusi i tyre të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku.