Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se Evropa duhet të rrisë shpenzimet e saj. Kreu i aleancës e mbajti fjalimin në Konferencën e Sigurisë në Mynih ku u bëri thirrje anëtarëve evropianë të NATO-s, të dalin me propozime dhe ide konkrete, të shtojnë shpenzimet, të vazhdojnë trajnimi dhe furnizimin me armë.
Ai shtoi se objektivi aktual i vendeve të NATO-s prej 2% shpenzimesh për mbrojtjen ka të ngjarë të zëvendësohet me një shifër shumë të lartë. Rutte tha se Shtetet e Bashkuara kanë të drejtë të thonë se Evropa nuk shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen.
Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy bëri thirrje për krijimin e një ushtrie evropiane, duke thënë se kontinenti nuk mund të mbështetet më tek mbrojtja e Shteteve të Bashkuara dhe do të respektohet nga Uashingtoni vetëm me një ushtri të fortë.
Sipas tij, Ukraina nuk do të pranonte kurrë një marrëveshje paqeje të arritur pas shpinës së saj ose pa përfshirjen e Kievit.