Java e 25-të e Kategorisë Superiore do ta gjejë Vllazninë në transfertë përballë Dinamos, në një sfidë direkte mes dy skuadrave që tashmë e kanë “betonuar” vendin e tyre në “Final 4”.

Një përballje mes tyre vlen përveç pikëve, edhe prestigjin dhe kënaqësinë që të japin ndeshjet ndaj rivalëve direkt. Forma e javëve të fundit e gjen Vllazninë disi “të avantazhuar” ndaj dinamovitëve. Kjo pasi shkodranët në 5 ndeshjet e zhvilluara në kampionat kanë marrë 12 pikë nga 15 të mundshme.

Një rënie të formës këtë periudhë ka pasur ekipi i drejtuar nga Ilir Daja. “Nëndetësja” në 5 duelet e fundit në kampionat ka grumbulluar 6 pikë, duke u renditur tashmë në vendin e 4-t me 40 pikë. Megjithatë, në përballjet direkte që kanë pasur dy skuadrat këtë sezon, historia flet në favor të Dinamos. Blutë nga kryeqyteti janë i vetmi ekip këtë edicion, ndaj të cilëve Vllaznia nuk ka grumbulluar asnjë pikë.

Dinamo fitoi me përmbysje në shifrat 2- 1 në përballjen e fazës së parë e ndërsa i mposhti shkodranët edhe në “Loro Boriçi” në duelin e fazës së dytë me shifrat 2-3 duke i shkaktuar kuqebluve në këtë mënyrë humbjen e parë sezonale në shtëpi.

Vllaznia nga ana e saj do të kërkojë ta thyejë këtë “mallkim” ndaj Dinamos, ku të shtunën kërkon rezultat pozitiv në transfertë përballë 18 herë kampionëve të vendit.