Shkupi dhe disa qytete të tjerë të Maqedonisë së Veriut shpesh radhiten në majat e listave botërore për shkallën e ndotjes së ajrit. Dhe kjo gjendje vijon prej disa vitesh, sidomos gjatë stinës së dimrit. Shkupi dhe Strumica, në juglindje të vendit, shpesh janë ndër dhjetë vendet me koncentrim më të lartë të grimcave toksike në botë.

Autoritetet shëndetësore japin shifra alarmante për numrin e vdekjeve që janë pasojë direkte e ndotjes së ajrit dhe kjo shifër shkon në tre mijë, brenda vitit.

Banka Botërore vlerëson se kjo gjendje i kushton ekonomisë së Maqedonisë së Veriut rreth 300 milionë euro. Sipas Bankës Botërore, vënia në përdorim e energjisë së ripërtëritshme do të përmirësojë cilësinë e ajrit të këtij vendi dhe kjo do të ulte shkallën e vdekshmërisë si pasojë e ndotjes së ajrit deri në 23 përqind, deri në vitin 2050.

Autoritetet në Shkup thonë se janë vetë banorët ata të cilët më së shumti i kontribuojnë ndotjes së ajrit përmes ngrohjes me dru, por dhe me mjete të tjera; më pas vjen ndotja nga automjetet.

Ndotës janë edhe një pjesë e fabrikave që vazhdojnë të punojnë me qymyr, ndonëse autoritetet qeveritare herë pas here urdhërojnë pezullimin e veprimtarive të tyre.

Aktivistët dhe ambientalistët kërkojnë që Maqedonia e Veriut, si nënshkruese e të gjitha konventave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ambientit të zbatojë mekanizmat për realizimin e plotë të detyrimeve në këtë kuadër.

Qeveria e kaluar ndërmori një fushatë për furnizimin me kondicionerë për ngrohje të më shumë se gjashtë mijë familjeve përmes subvencioneve dhe qeveria aktuale e zbatoi këtë program për efikasitet energjetik, që do të zbuste, nga ana tjetër edhe problemin me ndotjen e ajrit.

Ndërkohë, аparatet e instaluara për matjen e shkallës së ndotjes jo gjithmonë janë në funksion.

Qindra banorë të qytetit të Strumicës në juglindje të vendit protestuan të shtunën duke kërkuar nga qeveria masa për përmirësimin e ajrit.

Partitë maqedonase të opozitës kërkojnë që parlamenti të debatojë për të siguruar një ambient të përshtatshëm jetësor, si vlerë themelore e garantuar me kushtetutë për qytetarët.

Nisma, në parim pranohet nga ligjvënësit e VMRO-së qeveritare, por ata duan që debati të përfshijë edhe periudhën e disa viteve të kaluara kur vendi qeverisej nga social-demokratët, që sipas partisë në pushtet, nuk morën masat e duhura për pengimin e ndotjes së ajrit./ VOA