Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka ngritur një alarm të fortë mbi gjendjen katastrofike të sistemit penal në Shqipëri, duke e krahasuar atë me standardet e drejtësisë ruse. Sipas tij, situata ka dalë jashtë kontrollit, pasi 61% e personave të ndaluar ndodhen në paraburgim, një shifër rekord që tregon degradimin e sistemit.
“Ka një dimension tjetër që është përtej këtij diskutimi Berisha, Meta, Veliaj, etj që është katastrofik gjithashtu.Unë kam mbajtur detyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe kurrë nuk na ka ndodhur që në paraburgim të kemi 61% të popullsisë. Maksimumi ka qenë 52-53%. 61% të paraburgosur, ky është fundi i drejtësisë penale”, tha Manjani, duke e cilësuar këtë fenomen si një kërcënim serioz për të drejtat dhe liritë e qytetarëve.
Ai theksoi gjithashtu se niveli i pafajësisë në Shqipëri është vetëm 2.2%, një shifër pothuajse e njëjtë me atë të Rusisë (0.8%) dhe në një kontrast të madh me mesataren evropiane prej 34%.
“Doni një të dhënë tjetër? Pafajësia! Rusia e ka 0.8%. E dini sa e ka Shqipëria? 2.2%. Sa është mesatarja e Evropës? 34%. Pra, Gjykata Evropiane pranon që prokurorët europianë gabojnë. Ne e kemi me 2%, pak më të mirë se Rusia dhe katastrofë në raport me Europën”, u shpreh ai në Syri tv.