Qindra studentë në Serbi, të përkrahur edhe nga qytetarë tjerë, e kanë kaluar natën në afërsi të Urës së Lirisë në Novi Sad, në kuadër të bllokadës 24-orëshe.
Bllokada ka nisur më 1 shkurt, në tremujorin e incidentit në këtë qytet, ku kanë vdekur 15 persona, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të qytetit.
Studentët besojnë se incidenti është pasojë e korrupsionit qeveritar në një projekt të madh infrastrukturor me një kompani shtetërore të Kinës. Në nisje të protestës më 1 shkurt, protestuesit kanë bllokuar për tri orë edhe dy urat tjera të Novi Sadit, Varadin dhe Zhezhel.
Në mbrëmjen e së shtunës, figura të njohura publike dhe kulturore kanë folur para protestuesve. Protestuesit kanë qëndruar në afërsi të urës, nga frika se ajo mund të mbingarkohej. Bllokada 24-orëshe në Urën e Lirisë pritet të përfundojë në orën 15:00 të së dielës, mirëpo mund të zgjatet, nëse ashtu merren vesh protestuesit.
Studentëve në Novi Sad u janë bashkuar edhe kolegët e tyre prej Beogradit, të cilët kanë ecur për dy ditë prej kryeqytetit. Në protestë ka pasur edhe qytetarë prej rajoneve tjera të Serbisë.
Prej incidentit të 1 nëntorit në Serbi, mijëra njerëz kanë protestuar rregullisht nëpër rrugë.
Protestat e vazhdueshme kanë rezultuar me dorëheqjen e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, më herët gjatë javës, dhe një mori koncesionesh të bëra nga Qeveria populiste, e cila bën përpjekje të qetësojë rezistencën.
Megjithatë, studentët kanë insistuar se do ta vazhdojnë protestën deri në realizim të kërkesave të tyre.
Kërkesat e studentëve për ndalimin e bllokadave përfshijnë publikimin e dokumentacionit të plotë për rindërtimin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin e 1 nëntorit, 2024.
Ata gjithashtu kërkojnë që sulmuesit e demonstruesve nëpër Serbi, gjatë protestave që pasuan aksidentin, të identifikohen dhe të përballen me përgjegjësi penale.
Kërkesat përfshijnë edhe lirimin e aktivistëve të arrestuar gjatë protestave, ndalimin e procedurave penale kundër tyre, si dhe rritjen e buxhetit për universitetet.
Autoritetet, në anën tjetër, pretendojnë se i kanë plotësuar të gjitha kërkesat.