Dy persona janë vënë në pranga në Sarandë. Policia njoftoi se ata tentuan të vidhnin sende dhe para në Kishën e Ksamilit.

“Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, në kuadër të operacionit “Fortuna”, u kapën në flagrancë gjatë përpjekjes për t’u larguar, dy autorët e dyshuar, shtetasit: E. Sh., 39 vjeç, banues në Sarandë; G. M., 49 vjeç, banues në Sarandë”, njoftoi policia.

Uniformat blu shprehen se gjatë tentativës për vjedhje dy autorët e dyshuar kanë dëmtuar objekte brenda kishës dhe kanë dhunuar fizikisht rojën e kishës.

“Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët vijon puna për identifikimin dhe kapjen, janë autorë edhe të vjedhjes së pesë banesave në fshatrat e Bashkisë Finiq, ku kanë vjedhur sende të ndryshme dhe vlera monetare”, njoftoi policia.