Nga Jakin Marena

Sali Berisha, mbështetësit e tij dhe në tërësi tërë opozita kishin marrë një ‘superxhiro’ të fortë, teksa Donald Trump kishte fituar garën presidenciale me kandidaten demokrate Kamala Harris.

Që gjatë fushatës, gjatë numërimit të votave dhe pas shpalljes së rezultatit fitues të zgjedheve nga Trump, dërgata e PD dhe e opozitës e përbërë nga Albana Vokshi, Belind Këlliç e Fatmir Mediu i PR silleshin sikur të ishin ata ‘arkitektët’ e fitores së Trump. Raportonin madje edhe live për emisionet e shumta të televizioneve shqiptare se “ja vota morëm në Kaliforni, kaq në Filadelfia’ e kështu me radhë, a thua kishte garuar PD dhe kandidat Sali Berishën në SHBA për president.

Berisha dhe mbështetësit e tij filluan të sillen pas deklarimit të fitores së Trump sikur kishin ardhur në pushtet në SHBA, pasi për Shqipërinë as që diskutohej, kishin nisur ‘qeverisjen’. Madje prezantohej sikur e qeveriste Shqipërinë lidershipi i PD si shtet të 51-të të SHBA-së.

Një situatë me të vërtetë komike dhe tragjike njëherësh për një partti politike të ndarë në pesë copa në prag të zgjedhjeve, e që është në opozitë duke prerë ‘thumba’ prej 12 vitesh, me shanse reale me këtë mbështetje që ka tek shqiptarët që të qëndrojë në opozitë edhe dy mandate të tjera.
Të paktën sondazhet serioze këtë thonë ditë pas dite, ku jo vetëm që PD është shumë pas partisë së parë me mbështetje në Shqëpëri, PS në qeverisje e udhëhequr nga Edi Rama, por dhe se në sondazhet me rezultatin më të mirë, opozitarët mezi e kanë arritur 30 përqindshin e mbështetjes.

Por ama, dhe pse e dinë fort mirë se nuk kanë asnjë shans që të vijnë në pushtet, Berisha dhe mbështetësit e tij vijojnë të sillen si të ishin fitimtarë në garën presidenciale në Amerikë, duke paralajmëruar largime masive nëpër strukturat shtetërore amerikane, duke paralajmëruar edhe zhdukjen e Sorosit në SHBA, e duke bërë paralelizmin se do të zhdukin Sorosin, pra Edi Ramën, dhe drejtësinë e re edhe në Shqipëri.

Bëjnë paralajmërime se çfarë do të ndodhë dhe deklarohen se do të shkrijnë SPAK menjëherë sapo të fitojë zgjedhjet, pavarësisht se as vetë nuk besojnë në fitore. Këtë punën e SPAK e kanë ‘vende vende’ për ta zhdukur, pasi disa prej tyre meqë po hedhin vallen nën ritmin e këngës për Sali Berishën, kanë një noter-prokuror aty që ka të gjitha dosjet kundër zyrtarëve të PS në dorë, me një ‘short’ si të zgjedhur po ‘me dorë’, që nga hetimi e dënimi i ish kryetarit të bashkisë së Fushë Arrësit, dosja ‘Tayota Yaris’ e deri ngjarja më e bujshme, arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

Ndërkohë që kjo puna e heqjes së ‘non gratës’ tashmë, të deklaruara fort si punë e kryer nga Berisha, Këlliçi, Noka, Paloka e mbështetësit e tjerë në kupolën e PD, e quajnë si ‘bukë e djathtë’, me argumentin se Berishën e kanë dënuar Edi Rama dhe Sorosi me qëllimin e vetëm për të zhdukur PD dhe opozitën, ndërsa tashmë drejtësia amerikane e për pasojë dhe ajo shqiptare do të jetë jashtë ndikimit të tij. Duke paralajmëruar dhe goditje të tjera të SPAK ndaj qeverisë.

Në të njejtën gjatësi vale janë demokratët dhe opozitarët shqiptarë dhe për Departamentin Amerikan të Shtetit, me gjithë ‘djalin e keq’ ish sekretarin e DASH Antony Blinken brenda, armikun kryesor të Berishës që paska firmosur ‘non gratën’ për të dhe që e akuzonte pa prova e fakte duke mbështetur sipas tij “kukullën e Sorosit në Tiranë” Edi Rama që të qëndrojë në pushtet.

Do të vijonte gjatë një spekulim i tillë nga ana e Berishës, i cili po shfrytëzonte në radhë dhe një organizator fushatash elektorale, ka qënë dhe me Trump Chris LaCivita, pagesa e të cilit nuk ka ‘dysheme’ poshtë 20 milionë dollarëve për t’ia paguar, duke e paraqitur si të dërguarin personal të Trump për t’i dhënë një ‘dorë’ Berishës që të fitonte dhe të ‘zhdukte nga faqja e dheut Sorosin në Shqipëri’, sikur të mos dilte sot një deklaratë fort e ‘nxehtë’ e Departamentit Amerikan të Shtetit, nën administratën e Donald Trump tashmë.

DASH i drejtuar jo nga ‘djali i keq’ dhe ‘sorosiani Blinken’ por nga antisorosiani Rubio, ka publikuar raportin për luftën ndaj narkotikëve dhe pastrimit të parave, duke përmendur me emër dhe mbiemër, vetë Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Për Shqipërinë, vlerëson arritjen e deritanishme në këto fusha, por thekson se duhet të shtohen hetimet ndaj këtyre fenomeneve. Duke treguar qartë se si funksionojnë institucionet e shtetit amerikan.

“Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe prokurorëve për t’u fokusuar te korrupsioni, pastrimi i parave dhe krimet ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformën gjyqësore të nisur në vitet 2016-2017”, thotë raporti i DASH i drejtu7ar nga Rubio.

Në raport, Departmenti Amerikan vlerëson punën e SPAK-ut ku përmend me emër e mbiemër hetimet ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. “Në vitin 2023, SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestime dhe sekuestrim të pasurive të ish-zyrtarëve të nivelit të lartë. Në Tetor, SPAK njoftoi një hetim ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA për korrupsion pasi dhëndri i tij përfitoi afro 5 milionë dollarë. Në Tetor gjykatat dënuan ish-ministrin e Mjedisit Koka po për pastrim parash, korrupsion dhe shpërdorim detyre sepse një kompani i dha atij 1.47 milionë dollarë. Gjykata sekuestroi gjithashtu asete me vlerë 4 milionë dollarë”, thuhet e bardha në të zezë në raportin e DASH të Rubios.

Raporti i DASH thekson se pjesa më e madhe e pastrimit të parave është e lidhur me trafikun e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën.

Nuk ka si ta thotë më shqip dhe më saktë administrata e re e Trump, duke ‘fikur’ në këtë mënyrë entuziasmin e Berishës dhe të tijve se me ardhjen e Presidentit të ri, administrata e re amerikane do të zhbënte gjithçka të vendosur nga administrata e Joe Biden. Pra do të zhbënte dhe ‘non gratën’ e tij, dhe akuzat për korrupsion, minim të demokracisë e shantazhim të drejtësisë.

Njëherësh Berisha ka kërkuar të injektojë tek publiku perceptimin e rremë se administrata e re amerikane e Donald Trump do të shuajë dhe akuzat e ‘drejtësisë së Sorosit” në Shqipëri kundër tij dhe familjes së tij për aferën “Partizani” e mbi të gjitha akuzën për masakrën shtetërore të ’21 janarit’, ku Garda e Berishës asokohe kryeministër vrau në mes të bulevardit 4 demonsturues të opozitës, dosjen për shpërthimin tragjik të “Gërdecit’, ku korrupsioni shtetëror në favor të djalit të Berishës vrau 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosi mbi 300 të tjerë.

Tek SPAK ‘vende vende’ zuri vend kjo këmbëngulje e Berishës, teksa prokurorë dhe gjyqtarë të caktuar në Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme vepruan si kamikazë në favor të Berishës, duke marrë çuditërisht në dorë me ‘short’ të gjitha dosjet kundër zyrtarëve të PS.

Raporti më i ri i DASH për luftën ndaj korrupsionit dhe pastrimit të parave, duke përmendur në mënyrë nominale me emër Sali Berishën si të akuzuar nga drejtësia, tregon qartë dhe saktë se shteti amerikan funksion në bazë të institucioneve e jo në bazë të individëve që hyjnë dhe dalin në zyrat e administratës sa herë që ndërrohen partitë në pushtet në Amerikë.

Për hir të së vërtetës, pavarësisht qëndrimeve të paparashikueshme të Trump, kur vjen puna për respektimin e vendimeve kryesore që kanë të bëjnë me demokracinë në SHBA dhe botë dhe ‘kolonën vertebrale’ të funksionimit demokratik të shtetit, apo luftën kundër korrupsionit, terrorizmit dhe elementëve të tjerë që cënojnë dhe sigurinë e SHBA, qëndrimi amerikan është i pandryshueshëm nga administrata në admninistratë. Pavarësisht kush është President!

Qeveria amerikane në fund të herës nuk funksionon si ‘çeta’ e Sali Berishës në Shqipëri, aq më tepër që të ndikohet nga këta të paudhët shqiptarë. Asnjëherë nuk ndodh një gjë e tillë. Nuk kemi takat të ndikojmë ne as për mirë dhe as për keq në SHBA ne! Vendosin vetë amerikanët.

Kështu që Berisha, sa kur na shfaqet si presidenti i SHBA në Shqipëri, më mirë të merret me organizimin e PD për të marrë ndonjë votë dhe për të mos u turpëruar më 11 maj, si dhe të përgatisë letrat mirë për të përballuar dosjen e radhës, atë të 21 janarit. Sado ta vonojnë hetimin, njëherë Berisha do kalojë në ‘qarkun’ e drejtësisë për këtë krim. E ka thënë dhe vendosur Strasburgu, dhe pavarësisht ‘piruetave’ SPAK s’ka nga lëviz, do ta thërrasin, pyesin, hetojnë dhe gjykojnë më pas Sali Berishën, ‘majën’ e zinxhirit komandues në atë ditë të zezë të 21 janarit 2011. Strasburgu nuk lë vend për diskutime.