Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se është “i përkushtuar për të blerë dhe zotëruar” Rripin e Gazës dhe zhvendosjen e dy milionë palestinezëve që jetojnë atje, pavarësisht se plani i tij u kundërshtua njëzër nga e gjithë bota.
Trump u tha gazetarëve se mund të lejonte që vendet e Lindjes së Mesme të përfshiheshin në rindërtimin e pjesëve të territorit dhe se do të sigurohej që refugjatët palestinezë të “jetojnë bukur”.
Si Autoriteti Palestinez ashtu edhe grupi i armatosur Hamas, lufta 16-mujore e të cilit me Izraelin ka shkaktuar shkatërrim të gjerë në Gaza, përsëritën se toka palestineze “nuk ishte në shitje”.
Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e vlerësoi propozimin e Trump si “revolucionar dhe krijues”.
Deklarata vjen tre javë pas një armëpushimi të brishtë në Gaza, gjatë së cilës Hamasi ka liruar disa nga pengjet izraelitë që po mban në këmbim të të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.
Ushtria izraelite nisi një fushatë për të shkatërruar Hamasin në përgjigje të një sulmi të paprecedentë ndërkufitar më 7 tetor 2023, në të cilin rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng.
Më shumë se 48,180 njerëz janë vrarë në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të territorit të Hamasit.
Shumica e popullsisë së Gazës gjithashtu është zhvendosur disa herë, pothuajse 70% e ndërtesave vlerësohet të jenë të dëmtuara ose të shkatërruara, sistemet e kujdesit shëndetësor, ujit, kanalizimeve dhe higjienës janë shembur, dhe ka mungesë të ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe strehimit.