Donald Trump ka zgjeruar gamën e produkteve që do të tarifojë. Ai ka njoftuar se do të vendosë tarifa 25% për importet e makinave, produktet farmaceutike si dhe çipat. Një seri masash që rrezikojnë të përmbysin tregtinë ndërkombëtare.
Sipas presidentit amerikan, tarifa për automjetet do të hyjë në fuqi duke nisur nga 2 prilli.
Trump ka kritikuar prej kohësh atë që ai e quan trajtim të padrejtë të eksporteve të automjeteve amerikane drejt tregjeve të huaja. Bashkimi Europian për shembull mledh një taksë 10% për importet e automjeteve, katër herë më shumë se tarifat amerikane të makinave prej 2.5%.
Shefi I tregtisë së Bashkimit Europian Maros Sefcovic pritet të takohet me homologët amerikane në Uashington të mërkurën për të diskutuar për tarifat e ndryshme të paralajmëruara nga Trump.
I pyetur nëse Brukseli do të shmangte tarifat reciproke që ai ka propozuar, presidenti Trump përsëriti pretendimin e tij se Bashkimi Europian kishte sinjalizuar se do të ulte tarifat e saj për makinat amerikane njëlloj sa tarifohen nga Amerika, megjithëse ligjvënësit europianë e kanë mohuar këtë.
Sa i takon produkteve farmaceutike dhe cipave gjysmëpërçues, Trump tha se do të fillonin nga 25% dhe nuk përjashtoi mundësinë që të jenë edhe më të larta. Ai nuk dha një datë për shpalljen e këtyre detyrimeve duke shtuar se do t’u jepte pak kohë prodhuesve të këtyre produkteve që të ngrenë fabrikat e tyre në Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të shmangin tarifat.
Që nga inaugurimi I tij Trump ka shpallur një plan të gjerë tarifor me 10% tarifa për importet nga Kina. 25% do të tarifohen mallrat nga Meksika dhe Kanadaja, masa që I shtyu në kohë me një muaj. Nga 12 marsi po ashtu do të hyjnë në fuqi tarifat 25% për çelikun dhe aluminin duke eliminuar përjashtime.