Nga Endri Kjasiu/

Ajo që ndodhi sot në Romë është një turp kombëtar. Një grup shqiptarësh, haxhiqamilë të epokës së IA, të cilët jetojnë në zemër të Perëndimit dhe e dinë çfarë është demokracia e vërtetë, duartrokitën Sali Berishën – një politikan të shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion dhe minimin e demokracisë. Në vend që të ndihmojnë opozitën të çlirohet nga pengmarrja e tij, ata festuan një plak të rrënuar politikisht, që për 34 vjet e ka përdorur PD-në si mburojë personale.

Më e turpshmja ishte kur ai e quajti Edi Ramën “Toto Rina i Shqipërisë”, një krahasim absurd dhe qesharak që na turpëron si shqiptarë. Edi Rama mund të ketë shumë për të kritikuar, por ai e ka vendosur Shqipërinë në hartën botërore si një vend i respektuar që vizitohet nga më shumë se 10 milionë turistë të huaj dhe që organizon dhe pret në Tiranë samite të rëndësishme të nivelit botëror, ndërsa Berisha është i izoluar nga aleatët tanë kryesorë.

Nëse dikush nuk e do Edi Ramën, kjo nuk do të thotë se duhet të ndjekë verbërisht Sali Berishën, një njeri që ka shkatërruar partinë e tij dhe çdo shans për një opozitë të fortë. Më 11 maj shqiptarët kanë në dorë një mundësi për të zgjedhur por për sa kohë PD-ja mbetet peng e këtij njeriu, Edi Rama dhe PS mbetet përsëri një zgjedhje e detyruar. Koha e Berishës ka mbaruar – kush nuk e kupton këtë, është thjesht një turp për Shqipërinë!