Petro Koçi, deputet i Partisë Socialiste, ishte i ftuar në studion e “Ditarit” me Bruna Çifligun, në A2 CNN, ku deklaroi se PS-ja kërkon nga SPAK-u jo vetëm guxim, por edhe profesionalizëm.

“Edhe tani ne e lavdërojmë SPAK-un, por kërkojmë që në punën e këtij institucioni të ketë përparim, jo vetëm guxim për të marrë nën hetim figura nga më të ndryshmet. Ne duam sa më shumë profesionalizëm”, tha Koçi.

“SPAK dhe GJKKO nuk janë makineri perfekte. Aty mund të ketë individë që cedojnë nga standardet që duhen. Profesionistët kanë shumë vërejtje, sidomos komuniteti i avokatëve. Për normën e paraburgimit ata janë shprehur në shumë raste. Kjo do të thotë që ka diçka që duhet riparë. Ne e kemi patur në “inventar” atë që kanë shprehur avokatët”, shtoi Koçi.

Deputeti socialist theksoi më tej se “rezulton që ka disa gjëra që neve na duket sikur nuk shkojnë”.

“Bie fjala, nëse merret parasysh fakti që në gjithë dosjen e Veliajt është llogaritur që Veliaj ka qenë në zonën e Golemit nga impulse telefonike, nuk më duket serioze. Nuk mendoj se është vendim politik i SPAK-ut, por individë të ndryshëm pa dyshim që mund të kenë simpatitë apo antipatitë e tyre politike. Sigurisht që është pretendimi që dikush bashkëpunon me zotin Berisha që i dërgon kopjet e dosjeve hetimore dhe nëse është e vërtetë kjo, unë mendoj se motivi do të ishte përpjekja për të implikuar marrëdhënien e PS-së me besimin që ka te SPAK dhe u duk se ia arritën, por nuk ia arritën”, deklaroi Petro Koçi.