Një turist u gjobit me 500 euro dhe u ndalua përjetësisht për të vizituar sërish shatërvanin e Trevit, në Romë.
Turisti nga Zelanda e re së bashku me 2 shokë të tij u ndaluan pasi u futën në shatërvanin e famshëm në qendër të Romës, i cili është një burim i shpeshtë telashesh kur turmat fillojnë të mblidhen në qytet gjatë sezonit turistik.
Ndërsa ata po shoqëroheshin larg zonës, një nga turistët, një burrë 30-vjeçar, shpëtoi nga duart e policëve dhe u hodh në shatërvan, sipas një zëdhënësi të policisë së kryeqytetit.
“Padyshim që ishin nën ndikimin e alkoolit”, shtoi zëdhënësi.
30-vjeçari u gjobit me 500 euro dhe u ndalua përjetë të vizitonte sërish monumentin e famshëm romak.
Shatërvani i Trevit, i ndërtuar në vitin 1762 si gryka e një ujësjellësi, iu nënshtrua një pastrimi dhe restaurimi prej 330 mijë dollarësh në vitin 2024, gjatë të cilit u boshatis në mënyrë që punëtorët të mund të riparonin mermerin e copëtuar nga miliona monedha të hedhura në ujë çdo vit. Sipas policisë së qytetit, dhjetëra turistë gjobiten çdo vit pasi futen në shatërvan ose hedhin sende të ndryshme në ujë. Një numër më i madh hajdutësh ndalohen pasi përpiqen të vjedhin disa nga monedhat me vlerë rreth 1.5 milionë euro që hidhen në ujë çdo vit. Në vitin 2024, qyteti prezantoi një sistem për të kufizuar numrin e vizitorëve përpara shatërvanit në 400 në të njëjtën kohë. Zona e aksesit është e hapur nga ora 9 e mëngjesit deri në 9 të mbrëmjes. çdo ditë dhe qyteti po mendon të vendosë një tarifë të vogël për të hyrë.