Janë 1200 familje të pastreha në kryeqytet që do të kenë mundësi të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese. Në podcastin “Majtas”, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se pas marrjes së kredisë do të jenë qytetarët ata që do të zgjedhin se në cilën lagje do banojnë.
“Ne nuk duam që të krijojmë geto. Pra, kur ne japim 1200 kredi të buta, është bashkia që amortizon interesin e kredisë, këto janë banesa që secili i zgjedh vetë. Nuk janë të gjitha në një pallat, janë në të gjitha lagjet e Tiranës. Për më shumë metra katrorë dikush mund të shkojë te Fresku ose te lagjja Rilindja, zona e Unazës së Madhe, Unazës së Re, ndërkohë që dikush do të zgjedh të jetë më afër qendrës edhe pse do të bien më pak metra katrorë. Pra, secili e zgjedh vetë në 1200 pika të qytetit”, ssqaroi ai.
Veliaj u shpreh se e njëjta politikë do të ndiqet dhe për programin e banesave sociale në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet një standard sa më i lartë jetese. “Ajo që po bëjmë gjithashtu dhe me banesat sociale, për grupet që zhvendosen sidomos nga projekti tani i ri i zgjatimit të Lanës. Kemi gjetur disa hapësira në lagje dhe një përgjigje për të mos shkuar të gjithë në Shkozë dhe për ta kthyer atë në vendin kur rrinë hallexhinjtë. Jo. Aty kemi disa banesa sociale, në ca vende të tjera do të bëjmë zhvillim”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.
Ai sqaroi gjithashtu se disa nga arkitektët e huaj që janë angazhuar në Tiranë, po punojnë edhe për projektin e banesave të reja sociale. “Pra secili po lëviz në shkallën e mobilitetit, sipas kësaj politike të majtë, po lëviz lart dhe jo poshtë. Banorët po lënë një hapësirë në lum dhe po shkojbë në një apartament që e ka bërë një arkitekt i njohur, siç bëmë në lagjen e Kombinatit dhe në lagjen e 5 Majit. Me star-arkitektët bëmë disa nga lagjet fantastike. Sot që njerëzit po hyjnë në shtëpi, thonë ku paskemi qenë, krahasuar me atë që humbën nga tërmeti”, deklaroi Kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Që pas ardhjes së Erion Veliajt në krye të Bashkisë së Tiranës, programi i “Subvencionimit të interesave të kredisë”, u rihap sërish pasi ishte mbyllur nga administrata e mëparshme. Ky program ka në fokus përmirësimin e kushteve të jetesës së familjeve dhe çifteve të reja, të cilat nuk kanë aftësi ekonomike të përballojnë ofertën e tregut të lirë të banesave ose atë të kredive hipotekore në treg. Qëllimi i këtij projekti është mbështetja e familjeve dhe çifteve të reja në blerjen e shtëpive, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre.