Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, priti në takim homologun e tij nga Bratislava, Matus Vallo, i cili mori pjesë në Samitin “Pakti i Qyteteve të Lira”, një nismë e nisur në vitin 2019 mes kryeqyteteve të Europës Qendrore, që këtë vit po mbahet në kryeqytetin shqiptar.

Kryebashkiaku i Bratislavës, Matus Vallo, vlerësoi transformimin e Tiranës në vitet e fundit dhe e cilësoi atë si një model për qytetet e tjera. “Po ju ndjek prej shumë vitesh, edhe para se të takoheshim, sepse ajo që po bën Tirana, për shumë vite mbajti vëmendjen e shumë njerëzve që merren me qytetet dhe është e mahnitshme, Tirana po bën diçka të mrekullueshëm. Është qyteti që po bëhet vërtet një simbol i një qyteti të madh me një udhëheqje të madhe”, deklaroi ai.

Veliaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes qyteteve në një kohë sfidash dhe ndryshimesh të shpejta, si dhe ndau me homologun e tij disa nga zhvillimet më të fundit të kryeqytetit shqiptar. “Tirana ka pasur një numër shumë të lartë të turistëve, të cilët vijnë për pushimet e verës, dhe shpresoj shumë që kjo, ky zbulim i kësaj dashurie të re të zgjasë sa më shumë dhe të jetë vërtet me benefite për të dyja vendet tona, sidomos për dy kryeqytetet tona”, tha ai.

Takimi mes dy kryebashkiakëve shënoi fillimin e një serie diskutimesh dhe aktiviteteve në Tiranë, ku pritet të marrin pjesë drejtues të tjerë të qyteteve europiane dhe ekspertë urbanistikë.