Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Tiranën, Erion Veliaj, ka folur për votën e emigrantëve. Në një intervistë për podcastin “Majtas”, Veliaj theksoi se ideja e votës së emigrantëve ka qenë një kauzë e hershme e PS që nga vitet 2009-2013, kur partia ishte në opozitë.
“Në vitet 2009-2013 ishin kohët kur ne ishim në opozitë, nuk kishim pushtet me të cilin ti bën punë ose ti merr vendime. Megjithatë kjo nuk është alibi për të dhënë ide. Ajo që kemi bërë atëherë shumë prej ideve që sot po votohen dhe sot po implementohen në fakt kanë lindur në atë kohë. Në 2009-2013 ne diskutonim si duhet të ketë kuota të të rinjve në politikë, kjo ndodh në të gjithë këshillat bashkiakë. Kjo ide u filloi të zbatohej në Tiranë dhe më pas u hap në të gjithë bashkitë e tjera. Për barazinë gjinore filluan këto diskutime, sot qeveria e Shqipërisë, parlamenti, bashkitë tona, këshillat bashkiakë, janë në nivelet më të larta të përfaqësimit gjinor dhe balancës gjinore. Ideja më revolucionare në atë kohë ishte e votës së emigrantëve”, tha Veliaj.
Ai e krahasoi Shqipërinë me një ndërmarrje të madhe, ku emigrantët janë aksionerë për shkak të kontributit të tyre ekonomik dhe për këtë arsye duhet të kenë të drejtën e votës. Më tej, Veliaj shtoi se, ndonëse në opozitë nuk kishin mbështetjen e kundërshtarëve politikë për këtë nismë, tashmë PS ka arritur ta bëjë realitet votën e emigrantëve. “Më vjen mirë që sot që jemi në drejtim të vendit kemi bërë realitet votën e emigrantëve, pavarësisht se ne tentuam që atëherë dhe nuk kishim nga kundërshtarët tanë dashamirësinë ose dëshirën për ta bërë këtë gjë. Sot që i kemi numrat, kemi mundësuar që jo vetëm të jetë shumica jonë që e realizon këtë, por edhe të tjerët të detyrohen t’i vijnë pas një kënge që ne e kemi kënduar prej kohësh, një refren që e kemi pasur pjesë të të gjithë programit tonë kur erdhën në pushtet dhe që më vjen mirë që sot jemi shumë afër realizimit”, u shpreh ai.
Duke iu referuar situatës politike, Veliaj bëri një krahasim mes opozitës së viteve 2009-2013 dhe asaj të sotme. Ai vuri në dukje se sot opozita ka lirinë të protestojë pa pengesa.
“Atëhere të bëje opozitë nuk ishte e lehtë. Ju kujtoj 21 janarin, një histori e tmerrshme që ende nuk ka gjetur rrugën e drejtësisë dhe shpresoj që do ta gjejë shumë shpejt. Të krahasohet me sot ku ti proteston lirshëm, te kryeministria, te bashkia çdo javë, dhe ky është një sens i lirë dhe askush nuk të ngacmon, bëj çfarë të duash për sa kohë që nuk prish rendin, nuk bllokon trafikun dhe nuk shkatërron pronën publike. Në këtë sens unë besoj se jetojmë në ditët më të mira edhe për opozitën. Sot jetojmë ditët më të mira për Shqipërinë dhe për ata që duan që Shqipëria të shkojë përpara. Edhe ata që e kundërshtojnë këtë filozofi tonë të majtë, edhe ata jetojnë më mirë sot”, deklaroi Veliaj.