Në fillim Cristiano Ronaldo dhe më pas Nejmar. Por ajo që kanë tani në mëndje sheikët e Arabisë Saudite as që i afrohet dy të parëve. Të paktën në shifra do të ishte transferimi më shtrenjtë në histori dhe do të trondiste nga themelet merkaton e futbollit.

Pas një tentative të dështuar në verën e kaluar, ata janë kthyer sërish në sulm për të marrë shërbimet e Vinicius Junior, duke vendosur në tavolinë një ofertë që tundon edhe një klub si Real Madrid. Sipas mediave spanjolle shumë pranë “los blankos” dhe gjithmonë të mirë informuara për punët e tyre, sauditët janë gati të paguajnë 300 milion euro për kartonin e sulmuesit brazilian. Jo vetëm kaq, edhe oferta për vetë futbollistin është një çmenduri më vete.

E përditëshmja madrilene “Marca” zbulon se bëhet fjalë për një kontratë 1 miliardë euro. Kjo shifër do të ndahej me 200 milion euro në pesë vite dhe do ta kthente Vinicus Junior në lojtarin më të paguar në historinë e futbollit. Këto shifra duken të paimagjinueshme, por duhet të besohen kur bëhet fjalë për Fondin e Investimeve të Arabisë Saudite.

Ky ka në pronësi edhe katër skuadrat më të mëdha të Ligës Profesioniste në vend, ku shumë emra të mëdhenj të futbollit vijojnë karrierën, përfshirë Cristiano Ronaldo dhe Karim Benzema.

Përveç talentit, sheikët arabë kërkojnë edhe imazhin e Vinicius Junior, që do të kishte edhe një rol në promovimin e futbollit saudit, në fushatën që ka nisur prej kohësh dhe që lidhet direkt me organizimin e “Botërorit 2034”.

Duke qëndruar në raportimet e mediave spanjolle, Vinicius Junior kërkon të qëndrojë te Real Madrid, por klubi i Florentino Perez është i tunduar nga oferta marramendëse.