Ligjvënësit demokratë amerikanë thanë të mërkurën se pezullimi i ndihmave për vendet e huaja nga administrata e Presidentit Trump mund të dëmtojë përgjithmonë sigurinë dhe ndikimin e Shteteve të Bashkuara në botë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Katherine Gypson republikanët po i kundërshtojnë kritikat, duke thënë se rishikimi i programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar është i nevojshëm për të luftuar abuzimet.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë programet e ndihmave për vendet e tjera, gjithë bota po ndjen pasiguri.

“Ne po humbasim dekada përvojë dhe njohuri, marrëdhënie të krijuara, ndërhyrje efektive në disa nga vendet më të rrezikshme dhe më të largëta në planet si dhe po tradhtojmë partnerët që kanë rrezikuar statusin në komunitetet dhe vendet e tyre, duke u rreshtuar publikisht me ne”, thotë Chris Coon, senator demokrat.

Ekspertët u thanë ligjvënësve gjatë një diskutimi të mërkurën se ndihma për botën e jashtme përfaqëson më pak se një për qind të buxhetit total të Amerikës. Ata gjithashtu kundërshtuan pretendimet se fondet federale janë shfrytëzuar për programe pa vlerë.

“USAID-i ka qenë objektivi i një fushate të bashkërenduar dezinformimi, të udhëhequr nga Elon Musk dhe të përforcuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara. Ata kanë hedhur pretendime të rreme e shpifje kundër një agjencie, misioni i së cilës është thelbësor për avancimin e interesave të Amerikës në botë”, thotë Jeremy Konyndyk nga organizata ‘Refugees International’.

Republikanët kanë mbrojtur punën e Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë të udhëhequr nga miliarderi Elon Musk, duke thënë se përpjekjet për të ndaluar mashtrimin dhe shpërdorimin janë shumë të vonuara.

“USAID-i është një agjenci që na ka zhgënjyer të gjithëve. Kam mbrojtur ndikimin e tërthortë të Amerikës në botë përmes këtyre fondeve gjatë gjithë kohës sime si senator, por ajo që kam parë më neverit”, thotë senatori republikan Lindsey Graham.

Administrata Trump ka lejuar që disa programe të ndihmës të rifillojnë, por senatorët demokratë ngritën pikëpyetje të mërkurën nëse një gjë e tillë është e vërtet.

“Nuk jemi duke punuar pa i menduar gjërat dhe pa plan. Gjithçka bëhet në partneritet me krerët e agjencive dhe unë diskutoj rregullisht me presidentin për t’u siguruar që kjo është ajo që ai dëshiron të ndodhë”, thotë kreu i Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë, Elon Musk.

Ndihmat për botën e jashtme mbështesin mbi 100,000 vende pune në Shtetet e Bashkuara. Një nga mijëra punonjëset e USAID-it, që janë pezulluar nga puna pa pagesë, thotë se pasojat, qoftë edhe të një ndalimi të përkohshëm të ndihmave, do të jenë afatgjata.

“Ne punojmë jo duke i detyruar njerëzit të kenë respekt për Amerikën ose duke u thënë njerëzve që të kenë vlera të caktuara, por duke i mbështetur ata në mënyrat që ata mendojnë se kanë nevojë”, thotë Mieka, punonjëse që është pezulluar nga puna në USAID.

Kontraktorët dhe organizatat joqeveritare amerikane kanë paditur administratën Trump për pezullimin e fondeve të USAID-it, duke thënë se kjo është shkelje e kushtetutës nga presidenti. Republikanët thonë se Presidenti Trump po kryen detyrën e tij./VOA