“Votë kundër Shqipërisë së Madhe”, Beogradi organizon autobusë për serbët për të votuar në Kosovë

Shteti serb ka planifikuar transport të organizuar në mënyrë që serbët të shkojnë në Kosovë për të votuar. Këtë e konfirmoi një zyrtare e qeverisë e angazhuar si komisionere për refugjatët dhe emigracionin.

Ajo bën thirrje që më 9 shkurt, sa më shumë serbë të shkojnë të votojnë, siç pretendon, për të garantuar mbijetesën në Kosovë, por që i referohet me provokim si krahinë.
Gjithashtu thekson se ata persona që dëshirojnë të marrin pjesë duhet të kenë mjete identifikimi të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Në këto zgjedhje po përpiqet të ndikojë edhe kryenegociatori serb për dialogun, Petar Petkoviç. Duke folur për mediat në Beograd, akuzon kryeministrin Albin Kurti se kërkon spastrimin etnik të serbëve.

“Ruajtja e 10 vendeve në parlament, formimi i asociacionit dhe mbijetesa e serbëve janë thelbësore për luftimin e qëllimeve të tij, që janë: një Kosovë e pastër etnikisht dhe krijimi i një ‘Shqipërie të Madhe’”, pretendon Petkoviç duke kërkuar ndëshkimin e Kurtit me votë.