Serbia ka dështuar kësaj here të bëjë atë që bën zakonisht, lojën e dyfishtë me të mëdhenjtë. Presidenti Aleksandër Vuçiç nuk ka mundur që t’ia hedhë paq dhe është detyruar që të kërkojë falje që mbështeti në Kombet e Bashkuara rezolutën europiane për ruajtjen e integritetit territorial të Ukrainës. Kjo i hapi atij probleme pasi u akuzua se mbështeti një qëndrim kundër Rusisë.

“Mendoj se Serbia bëri një gabim. Unë u kërkoj falje qytetarëve të Serbisë dhe për këtë fajin e marrë vetë përsipër, sepse ndoshta jam i lodhur dhe i ngarkuar, kështu që nuk mund të bëj gjithçka. Shpjegimi që mora pas votimit në OKB, ku, për të qenë të qartë se për çfarë po flisnim, ne votuam pro rezolutës europiane.

Për sa i përket rezolutës amerikane, ne votuam pikërisht ashtu siç duhej, abstenuam. Sipas mendimit tim, ne duhet të kishim abstenuar edhe për rezolutën europiane. Dhe siç mund ta shihni, unë po e them këtë në një kohë kur unë besoj se do ta humbas këtë favor politik”, tha Aleksandër Vuçiç, president i Serbisë. Megjithatë Kremlini ka pranuar kërkim faljen e udhëheqësit të Serbisë. “Ne kemi dëgjuar dhe pranuar kërkesën për falje të Presidentit të Serbisë. Në të vërtetë, gabime teknike ndodhin dhe, natyrisht, një reagim kaq i shpejtë nga kreu i shtetit na bën shumë përshtypje”, tha Dimitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.

Vuçiç nuk është mjaftuar me kaq dhe kërkon që ta marrë verbalisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë faljen nga Moska. Presidenti serb do të takohet gjatë të mërkurës me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandër Boçan Kharçenko. Diplomati i Putinit është takuar gjatë të martës me ministrin serb të mbrojtjes, Bratislav Gashiç.