Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se përjashtimi i Kievit nga bisedimet SHBA-Rusi për luftën në Ukrainë do të ishte “shumë i rrezikshëm”.

Në një intervistë për AP, Zelensky tha se Rusia nuk dëshiron të hyjë në negociata për armëpushim apo të diskutojë asnjë lloj lëshimi, gjë që Kremlini e interpreton si humbje në një kohë kur trupat ruse kanë përparësi në fushën e betejës.

Ai vlerësoi se presidenti amerikan Donald Trump mund ta sillte Presidentin rus Vladimir Putin në tryezë me kërcënimin e sanksioneve që do të synonin sistemin energjetik dhe bankar ruse, së bashku me mbështetjen e vazhdueshme për ushtrinë ukrainase.

“Unë mendoj se këta janë hapat më të rëndësishëm,” u shpreh Zelensky pas deklaratës së Trump të premten se zyrtarët amerikanë dhe rusë “tashmë po flisnin” për përfundimin e luftës. Trump tha se administrata e tij kishte biseda “shumë serioze” me Rusinë, por nuk dha detaje.