Nga Mero Baze/

17 vjet më parë, 15 Marsi qëlloi e shtunë, njësoj si këtë vit. Ndërsa njerëzit ende nuk ishin nisur nga Tirana për fundjavë, një shpërthim i tmerrshëm mori jetën e 26 qytetarëve, plagosi rreth 300 të tjerë dhe hodhi në erë një fshat të tërë.

Një punishte primitive, pas së cilës qëndronte biznesi i pistë i djalit të Sali Berishës, kishte punësuar gra, fëmijë të mitur dhe një baxhanak të familjes Berisha, që kontrollonte gjithçka me primitivizëm dhe arbitraritet, duke krijuar kushte të papërgjegjshme pune dhe, si rrjedhojë, një tragjedi kombëtare.

Prej 15 Marsit të vitit 2008, Shkëlzen Berisha nuk është hetuar dhe nuk është marrë ende i pandehur për atë masakër.

Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Fatmir Mediu, i cili ka si imunitet papërgjegjësinë e tij publike, ankohet se po e përsekutojnë që i kanë rikthyer gjyqin. Ndërkohë, po harxhon miliarda lekë duke u endur nëpër SHBA e duke grisur xhaketat e çdo kongresmeni për të dalë në foto e për t’ua treguar prokurorëve të Shqipërisë, si provë se është i paprekshëm.

I vetmi nga rrethi i familjes Berisha që ka paguar për këtë tragjedi është baxhanaku i tij, i cili është një nga 26 viktimat. Por Sali Berisha, i cili nuk harron asnjë kundërshtar, pretendon se nuk e kishte njohur dhe i ka mbetur peng që ai iku nga kjo jetë pa u njohur me të.

Drejtësia për Gërdecin jo vetëm që nuk është vendosur, por milionat e fituara në atë tragjedi po pastrohen sërish në Gërdec nga i biri i Sali Berishës, në një punishte të re të maskuar si fabrikë.

Ndryshimi i vetëm është se kjo fabrikë nuk vret më njerëz, por pastron lekët e fituara me gjak, duke i kthyer në kulla dhe pallate në Tiranë.

Në këtë vend, korrupsioni është një plagë e thellë, që zor se do të shërohet plotësisht ndonjëherë.

Por ai i 15 Marsit 2008 ka qenë korrupsioni me çmimin më të lartë në botë.

Kudo ka politikanë që tentojnë të vjedhin për t’u pasuruar, por ai ishte rasti kur familja në pushtet i dogji njerëzit të gjallë për të vjedhur.

Dhe atë dosje, fatkeqësisht, e kanë kaluar nëpër duar të gjithë këta prokurorë që sot janë në SPAK.

Një shoqëri e shëndetshme dhe me memorie këtë ditë duhet ta kishte kthyer në një ditë proteste kombëtare ndaj pandëshkueshmërisë.

Por Sali Berisha e ka kthyer në një ditë “madhështore”, siç do ta quante ai me sloganin e tij, pasi ka arritur të mbajë drejtësinë larg nga krimi më i shëmtuar i familjes së tij.

Dhe tani, për t’i vënë vulën kësaj fitoreje, Berisha ka vendosur që 15 Marsin ta shpallë Ditë Kombëtare të Protestës për TikTok-un.

Është një ironi e madhe për drejtësinë dhe mbi të gjitha për shoqërinë shqiptare.

Meqë djali i tij e ka ditë ters 15 Marsin, për shkak të Gërdecit, me sa duket, Berisha nuk do që ta ketë ditë tersi edhe nusja e djalit, e cila është blogere në TikTok dhe shet të brendshme të shtrenjta për të justifikuar paratë e Gërdecit.

Dy fatkeqësi në të njëjtën datë nuk pranohen.

Meqë për atë të parën nuk proteston dot, po proteston për këtë të dytën.

Ndaj, më 15 Mars, meqë është edhe dita e fundit e TikTok-ut në Shqipëri, duhet të përmbyset vendi.

Pastaj, ose do mbyllim TikTok-un, ose do mbyllim SPAK-un.

Vetëm Berishët mos i prekni./TEMA