Kryeministri Edi Rama komentoi në rubrikën “Sy më Sy” reformën në drejtësi duke u ndalur tek “21 janari”.

Kryeministri Rama u shpreh se më parë nuk mund të imagjinohej të kishte një drejtësi të pavarur, dhe se reforma në drejtësi dhe SPAK sot, u realizuar vetëm nga mbështetja e PS.

Rama u shpreh: “Pra nga 1912 dhe deri kur unë dhe PS bëmë reformën në drejtësi, asnjë nga ata që ka jetuar në këtë vend, nuk e kanë parë asnjë gjë të tillë siç po shohim sot. Dhe pyetja është si ka mundësi që nga 1912 deri kur filloi puna e institucioneve dhe reforma në drejtësi, nuk u çua një njeri me pushtet politik përpara një gjyqtari të pavarur. Unë po flas për prokurorë e gjykatës të pavarur. Kjo shpjegohet se unë dhe skuadra ime vendosëm t’i dorëzojmë drejtësisë shpatën e ndëshkimit që ka qenë historikisht në duart e pushtetit politik që e ka përdorur për të bërë “drejtësi” duke goditur kë ka pasur oreks të mbrojë. Imagjino të ndodhte sot, që të mblidhej këtu poshtë dritares sime një popull i tërë dhe nga kjo zyrë të jepej urdhër për të qëlluar me plumba të vërtetë njerëzit dhe të vdisnin… katër vetë të pafajshëm…dhe prokurori SPAK në këtë rast të lëshonte urdhra arresti për një numër personash përgjegjës për gjithë procesin e administrimit të protestës dhe unë t’i jepja urdhër drejtorit të përgjithshëm të Policisë “Nuk arrestohet askush”. E imagjinon dot t’i këtë të ndodhë sot?…Kjo ka ndodhur miku im, shumë pak kohë më parë, përpara se unë të vija në këtë zyrë…Si shpjegohet kjo, na ra nga qielli, apo e solli Amerika me aeroplan? Këtë e bëri ky që sheh këtu bashkë me ata që e votuan me vullnet të plotë dhe jo ata që erdhën zvarrë për ta votuar.”, tha ai.