Pas 4 orësh diskutimesh është mbyllur seanca e sotme në Kuvend. Në rendin e ditës të seancës plenare ishin përfshirë miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 27.2.2025 dhe njoftime. Gjithashtu në rend dite përfshiheshin diskutime për çështje të evidentuara nga zgjedhësit.
Në nisje të seancës kryeparlametarja Erisa Spiropali ka kërkuar të mbahet një minutë heshtje për ish-deputetin socialist Andis Harasani i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Deputetët janë ngritur në këmbë në nderim të Harasanit dhe kanë mbajtur një minutë heshtje, ndërsa kanë shprehur ngushëllime për familjarët. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur nga Kuvendi në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist Andis Harasani. Teksa deputetët mbajtën një minutë heshtje në nderim të tij, Berisha deklaroi se mazhoranca i detyrohej edhe një kërkim ndjese. Sipas liderit demokrat, Rilindja e përzuri Harasanin pasi ky i fundit nuk pranoi të bëjë kompromis me të keqen.
Deputeti Dashnor Sula ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-deputetit socialist, Andis Harasani. Nga foltorja e Kuvendit, Sula ka akuzuar qeverinë se kjo e fundit është përgjegjëse për largimin nga vendi të Harasanit kohë më parë. Teksa Sula vijonte akuzat ndaj mazhorancës, kryeparlamentarja Spiropali i ndërpreu fjalën teksa i tha se kjo nuk ishte për procedurë dhe se duhet të respektonte viktimën. Pas kësaj Sula vazhdoi të fliste për procedurë.
Sërish nga foltorja kryedemokrati Berisha ka ngritur akuza kundrejt qeverisë së kjo e fundit ka rritur pagat e veta dhe të zyrtarëve të lartë dhe për pensionistët ka dhënë një pagë qesharake. Berisha tha se në historinë 34-vjeçare mazhoranca votoi me dhjetëra ligje dhe vendime, në të cilat varfëruat gjithnjë e më shumë qytetarët shqiptarë. Berisha thotë se qeveria shumëfishoi rrogat e zyrtarëve, dhe kur erdhi puna tek pensionet i lanë një shumë qesharake, 16 milionë për 800 mijë pensionistë. Berisha tha se kreu i PS-së, njëherësh dhe kryeministër, blen vazo në oborr aq sa kushtojnë 120 mijë pensione.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, i kërkoi opozitës të mos bëjë politikë me vdekjen. Balla replikoi pasi kreu i demokratëve Sali Berisha dhe kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu folën për largimin nga jeta të ish-deputetit socialist Andis Harasanit. Balla tha se familja e ish-deputetit duhet lënë ta kalojë këtë moment të vështirë.
Kreu i Grupit të Parisë Socialiste, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij u shpreh se qeveria nuk e ka kopjuar programin për zgjedhjet e 11 majit, ashtu siç pretendon opozita. Peleshi tha se socialistët janë në qeverisje dhe do të vazhdojnë të jenë, ndërsa sfidoi edhe opozitën duke i thënë që të premtojnë sot në seancë, që 11 maji të mos jetë ditë e përleshjes dhe bllokimit të foltores, por një ditë ku t’i urohet fitorja fituesit.
Deputetja demokrate Ina Zhupa është ndalur në zgjedhjet e 11 Majit gjatë fjalës së saj në Kuvend. Zhupa u shpreh se vota e diasporës ka tmerruar sipas saj mazhorancën dhe këtë frikë kjo e fundit e ka reflektuar në vendimmarrjet që ka marrë. Zhupa thotë se të gjithë sondazhet tregojnë se emigrantët presin ndërrimin e qeverisë në Shqipëri. Ajo thotë se 245 mijë shqiptarë janë një armatë që kërkon rrotacion politik.