Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka informuar Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj se asnjë gjyqtar kushtetues nuk është vendosur nën hetim, sipas një shkrese të parë ekskluzivisht nga “Boldnews.al”.
Ky konfirmim vjen në një moment kur zëra të ndryshëm publikë, përfshirë edhe ish-ministrin e Drejtësisë, aktualisht avokati Ylli Manjani, ka deklaruar publikisht se është vënë në dijeni për një autorizim të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për lejimin e përgjimit dhe vëzhgimit të të paktën një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Historia e përgjimit të mundshëm të një gjyqtari kushtetues u shfaq për herë të parë në publik nga eksperti kriminalistik, Ervin Karamuço, në emisionin “Now” në “Euronews Albania”, mbrëmjen e 19 Shkurtit 2025.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në një dalje publike për prezantimin e statistikave për vitin 2024 në 24 Shkurt të këtij viti, konfirmoi se institucioni që ajo drejton i ishte dërguar me një kërkesë për informacion Prokurorisë së Posaçme, për të mësuar më shumë mbi pretendimet e shfaqura publikisht nga eksperti Karamuço.
Pak ditë më vonë, kreu i SPAK-ut, Dumani, i ka kthyer përgjigje kërkesës së Holta Zaçaj.
Në krye të letrës, Dumani rithekson kuadrin ligjor, në bazë të të cilit Prokuroria e Posaçme “nuk mund të ndajë me institucione ose palë të treta që nuk janë subjekte të procedimit penal informacion mbi ekzistencës ose mosekzistencën e procedimit penal”.
Megjithatë,- i drejtohet Dumani, Zaçajt- “në përgjigje të interesit Tuaj, mund t’Ju konfirmojnë se në Prokurorinë e Posaçme nuk është paraqitur asnjë kallëzim penal ndaj ndonjërit prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si edhe ju konfirmojmë se nuk është në statusin ‘person nën hetim’ asnjë prej gjyqtarëve kushtetues”.
A janë nën hetim gjyqtarët e Kushtetueses nga SPAK? Dumani i
Në foto: Pjesë nga letra e Dumanit për Holta Zaçaj
Në vijim, kreu i Prokurorisë së Posaçme, duke cituar nenet 126 dhe 137 të Kushtetutës, shkruan se “Prokuroria e Posaçme nuk ka kompetencë për të kontrolluar vendimet e gjyqtarëve në çështjet konkrete, si të gjykatave të zakonshme, ashtu edhe të Gjykatës Kushtetuese”.
A janë nën hetim gjyqtarët e Kushtetueses nga SPAK? Dumani i
Në foto: Pjesë nga shkresa e Altin Dumanit për Gjykatën Kushtetuese
Por, sërish duke iu referuar nenit 148 të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, Dumani thekson se “Prokuroria e Posaçme ka juridiksionin dhe kompetencën që të ushtrojë ndjekjen penale për sjelljet jashtëgjyqësore të gjyqtarëve të çdo niveli, nëse ekzistojnë dyshimet se mundet të kenë kryer veprën penale të “korrupsionit pasiv…” ose të çdo vepre tjetër penale…”.
Në shkresën e kreut të SPAK-ut përmenden dy detaje proceduriale; së pari, nuk ka kallëzim ndaj ndonjë gjyqtari kushtetues; dhe, së dyti, asnjë gjyqtar kushtetues nuk është “person nën hetim”.
Gjithsesi, këto dy elementë nuk përjashtojnë mundësinë që një individ, zyrtar, përfshirë edhe gjyqtar kushtetues, të jetë ose të ketë qenë në përgjim.
Indicja për nisjen e një hetimi penal mund të jetë kallëzimi, por mund të jetë edhe referim nga institucionet ligjzbatuese.
“Person nën hetim”, sipas Kodit të Procedurës Penale, është individi, të cilit i është shënuar emri në regjistrin përkatës të Prokurorisë. Ndërkohë, përgjimi (interceptimi) mund të përdoret edhe për individë, të cilëve nuk u është shënuar emri në regjistrin e “personave nën hetim”, por që mund të jenë të dyshuar për kryerjen e një vepre penale./Boldnews.al