Mbrëmjen e së enjtes, në emisionin “Real Story” po diskutohet në lidhje me pretendimet se SPAK ka përgjuar anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pak ditë më parë, kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani tha se asnjë anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk është nën hetim apo përgjim.

Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço, i ftuar në emision, tha se ligji parashikon përgjime deri në tre muaj. Ndërkohë, analisti Skënder Minxhozi tha se Dumani është shprehur korrekt konform kuadrit ligjor, por sipas tij, problematika qëndron te fakti se “procedura çalon sepse është e çalë”.

Sipas tij, nuk është normale që SPAK të përgjojë një organ drejtësie me të cilin është palë në një proces të caktuar.

Pjesë nga diskutimi:

Karamuco: Përgjigje e saktë dhe korrekte e Dumanit. Kallëzimi nuk ka ardhur nga anëtar i GJK dhe e dyta nuk kemi anëtarë të GJK në hetim. Praktika e përgjithshme e SPAK regjistron në raste të caktuara një vepër penale, por nuk vendos persona në hetim fillimisht. Ushtron verifikime, nëse ka fakt penal apo jo dhe me këtë ecën në vazhdimësi. Në ligjin për përgjimet e kemi deri në 3 muaj. Janë edhe dy persona të tjerë, nga ato që kemi parë faksimilet e një dokumenti që duhet të verifikojë SPAK, që duhet të thotë po ky është një procedim. Nëse ka një procedim të 2025, atëherë lind e drejta jemi përgjuar apo jo. Ka në dispozitë neni për përgjimet, që thotë se nuk mund të jap të dhëna se është sekret. Po a janë zhvilluar zhvillime në kuadrin e përgjimeve ambientale. Përgjimet elektronike janë me vendim gjykate, ambientalet mund t’i bëjë dhe vetë. Këto janë veprime për të kërkuar prova, nëse ka informacion se po intimidohem shantazhohem, atëherë kalojnë menjëherë në gjykatë se do të përbëjë provë nga çfarë do të mblidhet nga ky hetim.

Minxhozi: Dumani shprehet korrekt konform kuadrit ligjor. Këtu nuk është se çalon procedura për shkak se njëra palë ka shkelur procedurën, këtu çalon procedura se është e çalë. Ne tashmë duke qenë në vitin e 6 të SPAK dhe paketës së re të drejtësisë së re, edhe për shkak se kjo drejtësi e re i është afruar proceseve të bujshme, në mënyrë objektive duket cinike por jeta është e tillë për shkak se ajo ka prekur nivele të larta të politikës të shtetit dhe të krimit, është më nën prozhektor në lidhje me kompetencat dhe rregullat që përdor. Çfarë po mësojmë se po ndodh? Nuk është normale na thonë ata që e kuptojnë ligjin që kur një organ është palë në një proces, ai organ të përgjojë palën tjetër. Nuk është shkelur ligji. E dyta, SPAK është palë në të gjitha proceset e drejtësisë së re. Në atë sallë arbitër duhet të jetë gjyqtari. Aty ku ti je palë, nuk duhet të kesh mjete intimiduese ndaj palëve të tjera që të sugjestionosh vendimin final.