Afganistani po rrëshqet drejt zisë së bukës, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës që veprojnë në njërën prej krizave më të mëdha humanitare në botë.
Miliona afganë tashmë jetojnë në kushte të ngjashme me urinë dhe ndalesa e përhershme e ndihmës amerikane vetëm se mund ta përkeqësojë situatën.
Kështu thonë dy punonjës humanitarë, të cilët folën për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, meqë nuk ishin të autorizuar të flisnin për mediat.
Të dy punojnë për organizata të mëdha ndërkombëtare, të cilat ofrojnë ndihma ushqimore për komunitetet e cenueshme në Afganistan.
“Ka tashmë uri të përhapur në disa cepa të Afganistanit”, thotë njëri prej tyre, i cili është i vendosur në juglindje të Afganistanit.
Marrja e pushtetit nga talibanët në vitin 2021 e përkeqësoi krizën e madhe humanitare në Afganistan. Për pasojë, vendi i varfër humbi ndihmën jetike perëndimore dhe ekonomia e tij u shemb.
Uria, ndërkohë, u shmang, falë fondeve të konsiderueshme nga donatorët perëndimorë. Megjithatë, kjo ndihmë u zvogëlua ndjeshëm në vitet e fundit.
Rreth një e treta e popullsisë 40-milionëshe të Afganistanit, aktualisht, përballet me urinë.
Frika për zi buke u rrit që nga vendimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në janar, për ta ngrirë përkohësisht gjithë ndihmën për vendet e huaja, përfshirë Afganistanin.
Ndërprerja e përhershme e ndihmës nga SHBA-ja – donatorja më e madhe për Afganistanin – do ta shtynte vendin drejt urisë në shkallë të plotë, paralajmërojnë punonjësit e ndihmës.
“Pa ndihmë humanitare, mund të ketë uri në shumicën e vendeve”, thotë punonjësi i ndihmës.
Sipas tij, provincat e thata perëndimore, qendrore dhe veriore të Afganistanit janë më të rrezikuarat.
Por, disa punonjës dhe organizata të tjera të ndihmës thonë se është ende herët të thuhet se Afganistani është në kushte të ngjashme me urinë, ose po shkon drejt zisë për bukë.
Klasifikimi i Fazës së Integruar të Sigurisë Ushqimore (IPC) e përcakton urinë si “një situatë në të cilën së paku një në pesë familje ka mungesë ekstreme të ushqimit dhe përballet me uri dhe varfëri, çfarë rezulton me nivele jashtëzakonisht kritike të kequshqyerjes akute dhe vdekje”.
IPC-ja vlerëson se mbi 3 milionë afganë – ose më pak se 10 për qind e popullsisë – vuajnë nga nivele emergjente të pasigurisë ushqimore dhe janë një hap larg urisë.