Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Rezart Kthupi tërhiqen nga rekursi që kishin depozituar në Gjykatën e Lartë për vulën e PD, duke përfaqësuar Lulzim Bashën. Report Tv, ka siguruar kërkesën e Kthupit për t’u tërhequr, depozituar në Gjykatën e Lartë.
Sipas kërkesës, thelbi është te mungesa e interesit të ligjshëm për shkak ë regjistrimit si parti politike dhe koalicion ë zgjedhje.
“Nga ajo kohë e më pas, kanë ndodhur disa ndryshime në pozicionim partiak. Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi.
Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm. Është fakt publik tashmë, por edhe po ju vë në dijeni, se kanë ndodhur edhe disa akte juridike dhe politike të rëndësishme, sic është p.sh. regjistrimi pranë KQZ i subjektit politik ku unë bëj pjesë, si subjekt garues në zgjedhjet e pritshme të 2025, madje edhe në kuadër të një koalicioni politik.
Nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Përvec kësaj, sqaroj, se interesi i ligjshëm bazohej dikur edhe në pozicionimin politik të dikurshëm, i cili sic shpjegova më lart tashmë nuk ekziston më.
Duke qenë se konsideratat e pozicioneve politike janë të rëndësishme sidomos tani nën dritën zhvillimeve politike dhe elektorale, më imponon të qartësoj se mungesa e interesit të ligjshëm dhe atij politik në raport me subjektin politik PD, më pengon ligjerisht, dhe në rrafshin etiko-elektoral të përfaqësoj e të shtyj përpara një proces gjyqësor të tillë nga i cili nuk tërheq asnjë të drejtë apo detyrim.
Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim”, thotë Kthupi në kërkesë.