Apeli i Posaçëm i GJKKO do të shqyrtojë më 11 mars, ora 10:00, ankimimin e bërë nga Erion Veliaj për masën e sigurisë ”arrest me burg”, mbi hetimet që SPAK ka nisur ndaj tij, bashkëshortes, dhe 6 biznesmenëve.
Ankimimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës i cili u arrestua më 10 shkurt, do ta shqyrtojë gjyqtari Engert Pëllumbi.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, regjistroi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal. Sipas shortit, trupi gjykues monokratik përbëhet nga gjyqtari Engert Pëllumbi”, thuhet në njoftimin e shkurtër të Apelit të GJKKO-së.
Veliaj akuzohet për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave. Sipas vendimit për masën e sigurisë, Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa kishte krijuar një skemë korruptive komplekse për transferimin e fondeve nga Bashkia e Tiranës apo kontraktorë të saj në drejtim të një grupi OJF-sh apo personash fizikë, që sipas SPAK kontrolloheshin nga Xoxa.