Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi këtë të hënë një plan, që ajo e quajti “Riarmatimi i Evropës” dhe që do ta paraqesë në takimin e udhëheqësve të vendeve të Bashkimit Evropian këtë javë. Komentet e saj pasojnë përpjekjet në rritje të Bashkimit Evropian për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.

Presidentja e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen tha se do të informojë vendet anëtare të martën për planet për të forcuar industrinë evropiane të mbrojtjes dhe aftësitë ushtarake të BE-së.

“Nesër do të informoj vendet anëtare përmes një letre për planin Riarmatimi i Evropës. Nuk ka asnjë dyshim se ne kemi nevojë për një rritje masive në mbrojtje. Ne duam paqe të qëndrueshme, por paqja e qëndrueshme mund të ndërtohet vetëm përmes forcës, që fillon me forcimin e vetes sonë”, tha Von der Leyen.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të zhvillojnë bisedime urgjente të enjten për të siguruar mbështetje ushtarake për Kievin dhe për të përgatitur një force paqësore për dislokim të mundshëm në Ukrainë.

Evropa është përballur me trysni për të shpenzuar më shumë për sigurinë e saj pas sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës tre vjet më parë dhe nevoja për të vepruar është bërë urgjente, pasi evropianët, përfshirë Ukrainën, janë lënë mënjanë në bisedimet midis Uashingtonit dhe Moskës.