Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Znj. Lorena Goxhobelli mori pjesë në takimin e Komitetit Drejtues të Programit “BE Për të Drejtën e Pronësisë”, financuar nga Bashkimi Europian, projekt i cili synon të rrisë efikasitetin dhe transparencën në reformën gjithëpërfshirëse të menaxhimit të pronave dhe shërbimeve kadastrale në Shqipëri si dhe të forcojë garantimin e të drejtës së pronësisë për qytetarët.

Në fjalën e saj, znj. Goxhobelli vuri në dukje progresin e deritanishëm, por edhe sfidat e mbetura në këtë sektor:
-Një pjesë e konsiderueshme e të dhënave kadastrale ekzistuese kërkojnë përmirësim, duke penguar efikasitetin dhe transparencën.
-Ende mbështetemi në arkiva të bazuara në letër, duke e bërë procesin më të ngadaltë dhe më pak të sigurt.
 
Ndër prioritetet kryesore për trajtimin dhe zgjidhjen e sfidave me të cilat ASHK përballet sot, Znj. Goxhobelli renditi si më të rëndësishme:
📌 Digjitalizimin e të dhënave kadastrale për një sistem efektiv, modern dhe të sigurt.
📌 Përmirësimin dhe përditësimin e cilësisë së të dhënave, duke korrigjuar pasaktësitë dhe konfliktet e trashëguara.
📌 Finalizimin e procesit të regjistrimit fillestar për zonat e mbetura.
📌 Ri-inxhinierizimin e proceseve për të siguruar shërbim të shpejtë dhe transparent për të gjithë  qytetarët dhe bizneset.
 
Ky transformim nuk është thjesht një përmirësim i proceseve, por një reformë e thellë që përvec se përmirëson shërbimet kadastrale ndikon drejtpërsëdrejti në sektorë kyç si bujqësia, turizmi etj.

 Ajo theksoi se Bashkimi Evropian luan një rol kyç në këtë proces – mbështetja e tij është thelbësore për të mbyllur hendekun mes gjendjes aktuale dhe një të ardhmeje ku të drejtat pronësore janë të sigurta dhe të garantuara.