Nuk mjafton që ke thyer rekordin personal. Në një klub dhe në një skuadër si Interi ndoshta vlen pak që Kristian Asllani ka luajtur 1136 minuta këtë sezon, 70 minutë më shumë sesa sezonin e kaluar, kur duhen ende dy muaj deri në përfundim.
Mesfushori i kombëtares shqiptare, siç pohojnë edhe mediat italiane, është në udhëkryqin e vërtetë dhe më të rëndësishëm të karrierës, pasi deri në verë do të përcaktohet e ardhmja e tij.
A do të jetë 23-vjeçari sërish lojtar I një klubi të madh, apo do të kthehet në nivelet mesatare apo të ulëta të futbollit italian, si në kohën kur vishte fanelën e Empolit?
Asllani, edhe pse shpesh herë ka luajtur mirë, nuk ka mundur të kthehet në alternativë kryesore për lombardët.
Statusi si lojtar stoli vazhdon që nga koha kur titullar në mesfushë ishte Marcelo Brozoviç, ndërsa tani pengesa për shqiptarin është ai që cilësohet si “vëllai I tij I madh”, Hakan Çalhanoglu. Natyrisht, pengesa kryesore për Kristianin nuk mund të jenë rivalët brenda ekipit, por vetvetja.
Shpesh, mediat italiane e kanë kritikuar për paraqitjet e tij, duke theksuar si pikën më të dobët besimin e paktë në forcat e tij, dhe mungesën e iniciativës. Tashmë, mbeten edhe dy muaj për të bindur trajnerin Simone Inzagi. Është e sigurt se Asllani nuk do të luajë në 2 prill, në derbin ndaj Milanit në Kupën e Italisë, dhe as në çerekfinalen e parë të Championsit ndaj Bajernit në “Alianc Arenë” në 8 të po atij muaji.
Kjo, sepse është I pezulluar.
Gjithsesi, një sezon tepër I ngjeshur do të kërkojë që Inzagi të shfrytëzojë të gjithë lojtarët.
Çalhanoglu ka qenë edhe I dëmtuar dhe vështirë të përballojë 6 ndeshje në vetëm 17 ditë, që do të thotë një ndeshje në më pak se tri ditë. Ky mund të jetë shansi I mesfushorit kuqezi, që ndoshta do të luajë kundër Udinezes, Parmës apo Kaljarit.
Natyrisht, 23-vjeçari ka admirues në Serinë A, siç mund të jetë Bolonja, pasi Interi ka në plan transferime të rëndësishme me klubin, në radhë të parë për sulmuesin Santiago Kastro.