Spanjës padyshim që i ka hyrë frika. Barcelona e trajnerit Hansi Flik është një makineri sulmi, dhe ndonëse përsosmëria është larg, ajo po trondit La Ligën dhe kontinentin.

Fitorja 4-0 ndaj Sociedadit nuk ka nevojë për koment, i dha kreun e kampionatit, dhe ndoshta u arrit pasi miqtë mbetën me 10 lojtarë, sërish nuk i ulet vlera aspak.

Katalanasit ushtruan një dominim total ndaj një rivali të fortë, që shpesh i ka vënë në vështirësi kundërshtarët edhe në inferiotet numerik.

Këtë herë ishte e pamundur, sidomos pas kartonit të kuq të dhënë me të drejtë për Artis Elustondon që rrëzoi Robert Levandovskin, duke qenë mbrojtësi I fundit.

Pasuan golat e shënuar nga Gerard Martin në 25’, Mark Kasado në të 29’, kapiteni Ronald Arauho në 56’ dhe pikërisht Levandovski në 60‘.

Pas një ore lojë, “blaugranët” nuk shënuan më, ndonëse rezultati mund të kishte qenë shumë më I thellë.

Le të shohim statistikat që na thonë se Barça pati 33 gjuajtje nga të cilat 10 në portë, ndërsa Sociedad nuk arriti të godiste asnjë herë, as në kuadrat dhe as jashtë tij.

Zotërimi I topit ishte 77 për qind për vendasit, ndërsa goditjet nga këndi 12-0!

Nuk dihet nëse ndonjëherë në ndonjë ndeshje në Spanjë apo jashtë saj, ka pasur një kontrast kaq të thellë.

Trajneri Flik pyetet se cili është sekreti I kësaj skuadre që ka shënuar 124 gola në 40 ndeshje në të gjithë konkurrimet.

“Ne duam gjithmonë që të luajmë futboll. Synimi ynë është që të sulmojmë. Të gjithë lojtarët tek ne kanë uri për të shënuar gola, dhe është shumë gjë e mirë që kemi një mentalitet të tillë. Këtë herë ishin në kushte perfekte dhe luajtëm siç duhet. Krijuam shumë raste. Natyrisht, na ndihmoi kartoni I kuq I Sociedadit. Jam I kënaqur për lojtarët e mi, për lojën, e padyshim për pikët që fituam këtë herë”.

“Lider për qejf të vet, – shkruan “El Mundo Deportivo”, – triumfi bën që Barça të udhëheqë e vetme, me një pikë mbi Atletikon, e 3 mbi Madridin!”

“Goleadë prej lideri, – titullon edhe “Sport”, – Barça komandon e vetme La Ligën pasi iu imponua me lehtësi Sociedadit!”

Katalanasit duan titullin në La Liga, duan Championsin dhe Kupën e Mbretit pasi kanë fituar Superkupën e Spanjës, por kërkojnë edhe Këpucën e Artë. Levandovski është shënuesi më i mirë i kampionatit me 21 gola ndaj 17 të Kilian Mbapesë të Realit. Pas 26 javësh, Barça kryeson me 57 pikë ndaj 56 të Atletikos, ndërsa Reali ka 54 pikë.