Bashkimi Evropian ka si synim të rrisë gjatë 5 viteve të ardhshme arsenalin e armatimeve dhe mbrojtjes. Në samitin e BE-së në Bruksel, krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare ranë dakord të bëjnë gjithçka që është e mundur për të forcuar ndjeshëm aftësitë mbrojtëse të Evropës.
Deri në vitin 2030 BE-ja planifikon të investojë deri në 800 miliardë euro për mbrojtjen. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, u shpreh se synon të krijojë “një instrument të ri financiar evropian” që siguron kredi deri në 150 miliardë eurosh. Ka gjithashtu plane për të lehtësuar rregulloret dhe zbutur kërkesat ndaj industrisë së armëve.
Shkak i këtyre planeve është kërcënimi nga Rusia. Sipas Komisionit Evropian BE-ja duhet të përgatitet menjëherë për mundësinë e një lufte në shkallë të gjerë me Rusinë. Situata konsiderohet veçanërisht e rrezikshme për shkak të deklarave të bëra nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili është shprehur se superfuqia bërthamore e SHBA-së nuk do të jetë më në dispozicion pa kushte si një garantuese e paqes në Evropë.