80 milion dollarë është financimi i miratuar nga Banka Botërore për shtimin e shërbimeve digjitale në Shqipëri. Financimi i sapo miratuar do të ketë në fokus rimodelimin dhe transformimin e prokurimeve publike si dhe shërbimet e qeverisjes vendore. Banka Botërore synon të mbështesë me financim zhvillimin e një platforme të re digjitale për prokurimin publik ku do të integrohet inovacioni i bazuar në inteligjencën artificiale.
Kjo është paralajmëruar edhe më herët nga institucionet shqiptare dhe synon që të rrisë transparencën, në proceset e prokurimit publik, duke sjellë efikasitet në kontraktimet që bëjnë institucionet qeveritare. Ndërkohë që pjesë e fondit do të përdoret për ofrimin e shërbimeve digjitale në qeverisjen vendore. Kjo pritet të ofrojë më shumë efikasitet në aksesin ndaj një game të gjerë shërbimesh administrative bashkiake, duke sjellë përfitime për qytetarët dhe bizneset.
Banka Botërore synon të financojë ndër të tjera zbatimin e një sistemi të ri për menaxhimin e financave publike. Përmes hartimit dhe zbatimit të një sistemi të ri digjital për menaxhimin e financave publike, programi do të ndihmojë qeverinë qendrore dhe vendore të menaxhojnë më shpejt dhe më saktë buxhetin për investime.
Ky projekt është në përputhje me angazhimin e Bankës Botërore për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike në Shqipëri.
Financimi shtesë vjen si rezultat i progresit të projektit të mëparshëm në vlerë prej 65 milionë $, i cili Aktualisht po zbatohet në ridizenjimin dhe përmirësimin e platformës E-Albania, krijimin e qendrave të inovacionit për të rinjtë si dhe ngritjen e 200 SmartLabs në shkollat fillore që do të shërbejnë për të rritur njohuritë mbi numërimin, leximin dhe aftësitë dixhitale.