657.4 milionë euro është huaja që Bashkimi Europian do t’i japë Shqipërisë për të përshpejtuar reformat drejt integrimit. Projektligji është dorëzuar në Kuvend dhe parashikohet që të kalojë me procedurë të përshpejtuar.
Objektivi i përgjithshëm i këtij programi janë reformat ekonomike të vendit dhe përmirësimi i klimës së biznesit për të hyrë gradualisht dhe i përgatitur në tregun e vetëm të BE-së.
Kjo hua është e shoqëruar po ashtu edhe nga një grant në vlerën e 264.6 milionë eurove nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor ose i njohur ndryshe si WBIF.
Në draft përcaktohet se objektivi kryesor i kësaj marrëveshje është rritja e konkurrueshmërisë dhe qeverisjes ekonomike.
Po ashtu në fokus është edhe zhvillimi i qëndrueshëm i kapitalit njerëzor si dhe reformimi më tej i arsimit, për të krijuar një fuqi punëtore të kualifikuar dhe të përgatitur.
Bashkimi Europian parashikon mbështetje rritjen e sigurisë digjitale një sfidë kjo e ndjeshme për shumë vende. Një tjetër reformë e rëndësishme është edhe rritja e burimeve të energjisë së rinovueshme dhe tranzicioni i gjelbër.
Përtej mbështetjes për reforma ekonomike kjo hua do të financojë edhe garantimin dhe pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi si dhe parandalimin dhe uljen e korrupsionit.
Komisioni Evropian, më 8 nëntor 2023, në kuadër të paketës së zgjerimit lançoi nismën për propozimin e planit të ri të rritjes për Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është dhe mbështetja përmes instrumentit “Faciliteti për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor”.
Kjo iniciativë e re zhvillimore do të ofrojë mundësinë për mbështetje financiare, deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.