Firmat evropiane të mbrojtjes duket se do të përfitojnë nga investimi i Bashkimit Evropian për riarmatim, i nxitur nga ndryshimi i qasjes së Shteteve të Bashkuara lidhur me sigurinë e Evropës nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Londër, Henry Ridgwell, plani Riarmatimi i Evropës prej 860 miliardë dollarësh përballet me kundërshtime nga Hungaria dhe Sllovakia.
Aksionet e disa firmave evropiane të mbrojtjes regjistruan rritje dyshifrore në javët e fundit, duke përmbysur frikën e përgjithshme në tregjet globale të aksioneve nga pasojat e një lufte të mundshme tregtare. Evropa po angazhohet në forcimin e mbrojtjes së saj pasi Uashingtoni sinjalizoi se siguria evropiane nuk do të jetë më përparësi e tij.
“Tregu i aksioneve e ka kuptuar gjithashtu se Evropa duhet të mbrohet vetë në përputhje me rrethanat e reja, sepse duket se Shtetet e Bashkuara po marrin një rol dytësor si një partner i besueshëm i saj”, thotë Tim Oechsner nga banka gjermane Steubing AG.
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar prej kohësh që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e saj, duke argumentuar se Uashingtoni nuk duhet të paguajë më për këtë.
Në takimin në Bruksel të enjten, krerët e Bashkimit Evropian, së bashku me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, diskutuan “Planin Riarmatimi i Evropës” prej 860 miliardë dollarësh të financuar nga bonot e thesarit të BE-së dhe rregullat e lehtësuara për huamarrjen dhe shpenzimet.
“Paratë janë më pak problem sesa vendosmëria. Ne pamë pas pandemisë së koronavirusit se si Evropa dhe BE-ja ishin në gjendje të mobilizonin shpejt qindra miliarda euro”, thotë Mattia Nelles nga Byroja Gjermano-Ukrainase, një firmë konsulence me seli në Dyseldorf.
Vendet anëtare të BE-së po rrisin gjithashtu shpenzimet e mbrojtjes. Friedrich Merz, që pritet të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, u zotua të lehtësojë rregullat e ashpra gjermane të huamarrjes.
“Dua të jem shumë i qartë këtu. Çfarëdo që është e nevojshme duhet gjithashtu të shkojë për mbrojtjen tonë tani, duke patur parasysh kërcënimet ndaj lirisë sonë dhe paqes në kontinentin tonë”, tha ai.
Vendimi i administratës së Presidentit Trump për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe për të kufizuar përdorimin e disa armëve të prodhuara nga Amerika ka nënvizuar dëshirën e Evropës për të forcuar aftësitë e veta ushtarake.
“Është e rëndësishme, që paratë që shpenzojmë, të paktën të qëndrojnë në Evropë. Ne nuk duhet të blejmë sisteme armësh amerikane me këto para”, thotë Robert Halver nga banka gjermane Baader Bank.
Udhëheqësit evropianë janë zotuar gjithashtu të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën.
Por, a mundet Evropa të riarmatoset dhe njëkohësisht të vazhdojë të furnizojë Ukrainën me armë?
“Ju nuk mund të ndërtoni një kompleks industrial të mbrojtjes brenda natës. Kjo nuk është diçka që do të shfaqet papritmas dhe sigurisht që nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë mbi luftën në Ukrainë”, thotë eksperti britanike Mark Galeotti nga firma Mayak Intelligence. Jo të gjithë evropianët janë dakord me këtë. Hungaria dhe Sllovakia kanë shprehur kundërshtime ndaj mbështetjes së vazhdueshme për Ukrainën.
“Vazhdimi i luftës është i gabuar dhe i rrezikshëm”, tha kryeministri hungarez Viktor Orban për luftën në Ukrainë.
Jashtë ndërtesës ku po mbahej samiti i BE-së, protestuesit bënë thirrje që Evropa të konfiskonte 200 miliardë dollarë të pasurive ruse të ngrira në bankat evropiane dhe t’i përdorte ato para për të mbrojtur Ukrainën./VOA