Liderët e Bashkimit Evropian janë zotuar se do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me armë, pavarësisht përpjekjes së Rusisë që të parandalojë dërgimin e armëve të Perëndimit në Kiev, përmes bisedimeve të vazhdueshme për armëpushim.
Liderët e bllokut evropian do të mblidhen në Bruksel më 20-21 mars kur pritet t’i miratojnë konkluzionet e samitit që përcaktojnë se “Bashkimi Evropian beson në qasjen e ‘paqes përmes forcës’, e cila kërkon që Ukraina të jetë në pozicionin më të fuqishëm të mundshëm, dhe kapacitetet e saj ushtarake janë elementët kryesorë”.
Teksti, i cili është parë nga Radio Evropa e Lirë, përcakton që blloku evropian “të mbetet i përkushtuar, në koordinim me partnerët dhe aleatët e linjës së njëjtë, për të ofruar mbështetjen e duhur për Ukrainën dhe njerëzit e saj, teksa ushtron të drejtën e vet për vetëmbrojtje kundër agresionit rus të Rusisë”.
Takimi në Bruksel do të zhvillohet dy ditë pas një bisede teleonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, përgjatë së cilës dy liderët janë pajtuar për një pauzë 30-ditore në sulmet në infrastrukturën e energjisë.
Megjithatë, vetëm disa orë pas thirrjes, agjencitë ukrainase hekurudhore kanë konfirmuar se dronët rusë kanë shënjestruar infrastrukturën e energjisë të lidhur me sistemin hekurudhor në rajonin e Dnjipropetrovskut.
Në rrethana normale, 27 vendet e BE-së duhet t’i miratojnë konkluzionet me unanimitet, mirëpo diplomatët e BE-së i kanë thënë Radios Evropa e Lirë në kushte anonimiteti se Hungaria – e cila është secilën herë e më e afërt me Kremlinin – do të distancohet, ashtu sikurse ka ndodhur në një samit tjetër të BE-së të mbajtur më herët gjatë muajit.
Vendet e bllokut evropian janë mbajtur larg negociatave për luftën, të cilat janë mbajtur në Arabinë Saudite, mirëpo dokumenti thekson se “vendet e BE-së do të kontribuojnë në procesin e paqes dhe do të ndihmojnë në arritjen e një paqe afatgjatë për Ukrainën, e cila është në interesin e Ukrainës dhe gjithë BE-së”.
Megjithatë, askush nuk e përmend ndonjë të dërguar të BE-së për këto bisedime.
Spekulimet e fundit që qarkullojnë në Bruksel sinjalizojnë që ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel apo presidenti aktual i Finlandës, Alexander Stubb mund të emërohen në atë pozitë.
Diskutime konkrete nuk ka as për dërgimin e trupave ushtarake evropiane për të mbikëqyrur një marrëveshje potenciale për paqe, ndonëse një mundësi e tillë është shtyrë përpara vazhdimisht nga presidenti francez, Emmanuel Macron, ndonëse ideja është hedhur poshtë nga Moska.
Brukseli i ka edhe dy armë tjera që administrata Trump duket se i ka vendosur në tavolinën e negociatave, me qëllim të bindjes së Moskës për një marrëveshje për paqe: sanksionet kundër Kremlinit, dhe llogaridhënien për krime lufte.
Blloku evropian i ka vazhduar ndalesat në dhënie vizash dhe ka vazhduar të ngrijë asetet e 2.400 kompanive dhe individëve – përfshirë Putinit – që janë zbatuar prej nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë më shumë se tre vjet më parë.
BE-ja “vazhdon të jetë e gatshme të rrisë presionin ndaj Rusisë, përfshirë vazhdimin e sanksioneve dhe përmes forcimit të masave ekzistuese”, është thënë në dokument.
Besohet se asetet ruse në vlerë të rreth 200 miliardë eurove vazhdojnë të jenë të ngrira në BE, kryesisht në Belgjikë.
Fondet duhet të mbesin të palëvizura “derisa Rusia t’i japë fund luftës kundër Ukrainës dhe ta kompensojë për dëmin e shkaktuar në luftë”, përmendet në dokument.
Vendet anëtare të BE-së kanë thënë se janë duke çuar përpara idenë e “llogaridhënës së plotë për krimet e luftës dhe krimet tjera serioze që janë kryer përgjatë agresionit rus kundër Ukrainës”.
Mes gjithë këtyre zhvillimeve, Uashingtoni ka thënë se do të tërhiqet nga Qendra Ndërkombëtare për gjykimin e krimeve të kryera kundër Ukrainës, një grup i formuar nga shtetet perëndimore më 2022, për të mbledhur të dhëna për ata që kanë përgjegjësi për krimet potenciale të luftës.