Doli për të prezantuar koalicionin e tij për “Shqipërinë Madhështore”, por në podium ngjiti të rinj e të reja, për t’i dhënë freski aleancës së tij, të madhe jo vetëm nga numrat, por edhe nga mosha.

Me krerët e 25 partive që iu bashkuan trenit opozitar përballë, në rresht njëri pas tjetrit, veç Shpëtim Idrizit që nuk mori pjesë në prezantimin e koalicionit, Sali Berisha u përpoq të shfaqej i pakompleksuar nga emrat e aleatëve të Shqipërisë madhështore, për të cilët prej ditësh ironizohet nga kryeministri Edi Rama. Ndërkohë, vetë Selami Jenisheri shkoi me vonesë dhe për Report Tv tha se nuk kishte ftesë.

“Çfarë paraqet pala tjetër? Paraqet hardhucë, zhapinj, paraqet brektosa, zhaba… Ku je Kujtim, jepja ato mustaqe, bëj diçka me to, se po çmendet pas mustaqeve tua. Unë dhe ti e njohim Kujtim, nga ana psikologjike, ia di ti arsyet pse (Kujtim Gjuzi çohet në këmbë dhe flet nga vendi)”.

“Je Skënderbeu i shqiptarëve”, i është përgjigjur me gadishmëri Gjuzi.

Në podium, nuk foli askush tjetër veç kryedemokratit, ndërsa më gjatë në akuzat për kryeministrin Edi Rama u ndal në një konferencë pak minuta më vonë, nga selia e PD. E akuzoi Ramën se kandidatët e tij për deputetë, po i zgjedh me zero transparencë.

Dhe më tej hodhi akuza nacionaliste, teksa vetë ka në aleancë Fredi Belerin dhe paqrtinë PBDNJ të minoritetit grek.

“Një njeri që ka qeveris 12 vite dhe nuk iu thotë dot shqiptarëve një arritje. Edhe arritjet janë të nxira nga vjedhje të tmerrshme. Enver Hoxha i shiti Kosovën Serbisë dhe Titos, kurse Edi Rama ia ka shitur Vuçiçit”, akuzoi kreu i selisë blu kryeministrin duke bërë analogji politike me rreth një shekull më parë.

Shefin e qeverisë e akuzoi edhe për tentativë nën rrogoz për të bashkuar votat për shkrirjen e SPAK-ut, ndonëse vetë kryeministri Edi Rama e ka mohuar këtë skenar..