Kryeministri Edi Rama shkëmbeu batuta me një biznesmen, teksa prezantoi “Paketën e Maleve” në Shkodër.

“Është demokrat, ndaj e ka të vështirë të çohet”, tha Rama me humor.

Ndërkohë, biznesmeni, që zotëron një kantinë vere në Kallmet kërkoi nga qeveria përmirësim të infrastrukturës, që sipas tij do të sillte më shumë investime në veri të vendit. Po ashtu, ai kërkoi ndërhyrje të qeverisë që bizneset të përdorin më shumë produkte shqiptare. Nga ana tjetër, Rama theksoi se nuk është e nevojshme për kaq shumë ndërhyrje të qeverisë.

Rama: Është këtu një demokrat nga Mirdita. E ka të vështirë të çohet se është demokrat. Është një nga pionerët të botës së verërave, që tani kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të kërkuara.

Biznesmeni: Malësia e Madhe është një territor shumë i hapur dhe infrastruktura bën të pamundur hapjen më tej për investime.

Janë shumë aktorë për të investuar në Orosh, por për arsye të infrastrukturës është e pamundur. Kam kontaktuar disa herë me bashkinë, por nuk është realizuar ende. Meqë jam prodhues, një sugjerim: qeveria jep para për agrobiznesin, ne si prodhues nuk mund t’i vesh kusht atij që e ka financuar vetë biznesin, por atë biznes që qeveria e financon me taksa, duhet të japë një kriter që 30-40-50% të produkteve t’i ketë shqiptare. Para tre vitesh në Valbonë, asnjë restorant nuk kishte verë shqiptare, sot kanë 70% verë shqiptare.

Rama: Unë besoj se produkti i mirë shet veten e vetë. Jam socialist, por nuk jam për kaq ndërhyrje të qeverisë. Po të ketë kontrolle pastaj, do duhet të vijnë inspektorët, duhet ta provojnë vetë verën, do duan edhe ndonjë gjobë ata (qesh)