Xhorxh Foremani, ose Big Xhorxhi, u nda nga jeta të premten si një nga boksierët më me ndikim dhe më të njohur të të gjitha kohërave, në moshën 76-vjeçare. Medalje e artë olimpike në vitin 1968, kampion i peshave të rënda dy herë dhe anëtar i Hall of Fame në boks, do të mbahet mend gjatë në historinë e boksit dhe në memorien e sportdashësve të sportit të fortë.

Dueli “Rumble in the Jungle” kundër Muhamed Alisë në vitin 1974 në Zaire, ndeshje që Foremani e humbi me nokaut në raundin e tetë, e përjetësoi. Mbase, ajo mund të quhet një nga ndeshjet më të famshme të të gjitha kohërave. Po aq i famshëm u bë edhe dokumentari për të, “When We Were Kings”, i ciki fitoi çmimin Oscar për filmin më të mirë dokumentar.

Pasi humbi titullin e peshave të rënda me Alinë, fitoi edhe pesë ndeshje të tjera, edhe në moshën 25-vjeçare u tërhoq. Ai qëndroi i tërhequr për 10 vjet nga dorezat goditëse. Në vitin 1987, në moshën 38-vjeçare, u rikthye në boks, duke realizuar rikthimin më mbresëlënës në historinë e sportit. Këtu fama e tij kapërceu normalen: Foremani shënoi kufirin e legjendës së gjallë.

Pasi fitoi lehtë ndeshjet e para, në vitin 1991, ai i provoi Botës se sa i vërtetë dhe legjendar ishte rikthimi i tij. Kryeneçësia e vuri përballë Evander Holifildit për as më pak e as më shumë se sa për të fituar titullin e peshave të rënda. Asokohe ishte 42 vjeç. Nuk ia doli. Edhe pse i shkoi shumë afër.

Foremani vijoi të boksonte siç dinte. 3 vjet më pas, ku dukej se po humbte ndaj Tomi Morrisonit, kur po e provonte sërish për titull, kombinon fuqishëm gjuajtjet e tij të njëpasnjëshme me grushte dhe e hedh përtokë kundërshtarin e avantazhuar teknikisht deri në atë çast. Numërohet deri në 10. Tomi Morrison ishte nokaut dhe Big Xhorxhi, 45 vjeç e 299 ditë, u bë kampioni më i vjetër i botës në peshat e rënda.

Ky rekord qëndroi për 20 vjet dhe i përcolli botës një leksion shprese, këmbënguljeje dhe vetëbesimi.

“Ndodhi!”, tha komentatori i HBO, Xhim Lampli, duke përshkruar momentin historik. Ky u bë një nga komentet epike në mikrofonin e telekronistëve të boksit.

The Ring e renditi Foreman si grushtuesin e nëntë më të madh të të gjitha kohërave dhe në vitin 2002 e përfshiu ndër 25 boksierët më të mirë të 80 viteve të fundit. Në 2014, Bernard Hopkins, në moshën 49-vjeçare, theu rekordin si moshë kampioni, por jo në kategorinë e Foremanit i cili mbetet i paprekur te peshat e grushteve të rënda.