Parlamenti serb është tronditur ditën e djeshme nga tensionet dhe dhuna, pasi deputetët e opozitës hodhën granata tymuese dhe gaz lotsjellës brenda sallës parlamentare.
Këto veprime erdhën si shenjë proteste kundër politikave të qeverisë dhe për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj studentëve protestues.
Deputeti i Frontit të Gjelbër dhe të Majtë, Radomir Lazoviq, në një moment ka aktivizuar një aparat kundër zjarrit në sallën e Kuvendit, duke shkaktuar mbulimin e vendeve të deputetëve me pluhur të bardhë.
Ndërkohë, në rrjetet sociale po qarkullon një video ku duket deputetja e partisë SNS të Aleksandar Vuçiqit, Natasha Jovanoviq, duke pastruar me flamurin e Serbisë një karrige të parlamentit.
Kjo ka bërë që të shkaktojë reagime të mëdha të njerëzve, të cilët i kanë kërkuar edhe dorëheqjen për përdhosjen e flamurit, shkruan N1.