Zjarri tragjik që shpërtheu në diskotekën “Puls” në Koçan ka lënë 51 të vdekur dhe ka plagosur 118 persona, të cilët po marrin trajtim në spitale të ndryshme të Maqedonisë.
Viktimat janë të moshës nga 14 deri në 25 vjeç dhe vijnë nga qytetet e Shkupit, Shtipit, Koçanit dhe Probishtipit, njoftoi sot drejtoresha e Spitalit në Koçan, dr. Kristina Serafimovska.
Në këtë spital janë hospitalizuar 20 persona të moshës nga 18 deri në 23 vjeç.
Drejtoresha e spitalit ka deklaruar se thirrja për zjarrin është pranuar në orën 02:48, dhe brenda 30 minutash spitali ka qenë i mobilizuar plotësisht.
70 pacientë me djegie dhe helmime nga monoksidi i karbonit janë transportuar në spital, ndërkohë që disa prej tyre kanë ndërruar jetë gjatë pranimit.
Për shkak të fluksit të madh të pacientëve, dr. Serafimovska ka kontaktuar spitalet në Maqedoninë Lindore dhe ka kërkuar ndihmë.
Automjetet e Ndihmës së Shpejtë nga Shkupi dhe Velesi kanë mbërritur për të ndihmuar në transportimin e pacientëve, ndërkohë që ata me lëndime më të rënda janë transferuar në spitalet e Shtipit dhe Shkupit.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, tha se aktualisht ka rezerva të mjaftueshme të gjakut, por do të informojë nëse do të ketë nevojë për më shumë derivate të gjakut.
Mediat shqiptare në Maqedoninë e Veriut raportojnë se diskoteka private ku ndodhi tragjedia ka punuar ndër vite.
Sipas tyre, pronarët e saj janë ndërruar ndër vite, por pronari aktualit, i cili është prangosur nga Policia i mbaronte licenca më 24 mars.
Policia ka arrestuar disa persona për këtë ngjarje tragjike. Paraprakisht dyshohet se shkak i zjarrit në diskotekë është bërë hedhja e mjeteve piroteknike.