Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dje ka zhvilluar një vizitë tjetër në Hagë, ku ka thënë se është një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Krasniqi ka shkruar në Facebook se Haga është një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet, raporton KosovaPress.

“Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm. Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë. Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri”, ka shkruar ai.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po përballen me një proces të tejzgjatur gjyqësor. Ata ndodhen në paraburgim në Hagë prej vitit 2020, ndërkaq gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat e pretenduara për krime lufte.

/Kosovapress/