Presidenti amerikan Donald Trump i tha homologut ukrainas Volodymyr Zelensky të mërkurën se Shtetet e Bashkuara mund të zotërojnë dhe drejtojnë termocentralet bërthamore të Ukrainës. Kjo, si pjesë e përpjekjes së tij të fundit për të siguruar një armëpushim në pushtimin e Rusisë ndaj fqinjit të saj.
Presidenti ukrainas tha pas thirrjes së tyre se Kyiv-i ishte “gati” të ndalonte sulmet ndaj rrjetit energjetik dhe infrastrukturës ruse. Ky vendim erdhi një ditë pasi Vladimir Putin ra dakord të ndalonte sulme të ngjashme në Ukrainë. Zelensky tha gjithashtu se kishte diskutuar planin e marrjes së termocentralit nga Trump.
“Ne folëm vetëm për një termocentral, i cili është nën pushtimin rus”, tha Zelensky, i cili ishte në një vizitë zyrtare në Finlandë, gjatë një konference online, duke iu referuar termocentralit në Zaporizhzhia.
Presidenti ukrainas shtoi se “nuk kishte ndjerë asnjë presion” nga Trump për të bërë lëshime ndaj Rusisë.
Por një armëpushim më i gjerë mbetet i paarritshëm me udhëheqësin e Kremlin-it që këmbënguli në bisedën e tij me Trump të martën që Perëndimi fillimisht të ndalojë të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën.
Toni i republikanit Trump ishte dukshëm më pozitiv pas telefonatës me Zelensky-in, me Shtëpinë e Bardhë që e përshkroi atë si “fantastik” – pavarësisht faktit se të dy burrat patën një grindje të beftë televizive në Zyrën Ovale kohët e fundit.
Trump “diskutoi furnizimin me energji elektrike dhe termocentralet bërthamore të Ukrainës” dhe tha se Washington-i mund të jetë “shumë i dobishëm” në drejtimin e tyre”, thanë në një deklaratë të përbashkët këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
“Pronësia amerikane e atyre impianteve do të ishte mbrojtja më e mirë për këtë infrastrukturë”, tha ai. Trump gjithashtu u zotua të ndihmojë Kyiv-in të marrë më shumë pajisje të mbrojtjes ajrore nga Evropa dhe të gjejë fëmijë ukrainas të “rrëmbyer” nga Rusia, thuhet në deklaratë.
Presidenti amerikan tha më herët në rrjetin e tij social “Truth” se përpjekjet për të arritur një armëpushim të plotë ishin “tej mase në rrugën e duhur”.
Zelensky tha se zyrtarët ukrainas dhe amerikanë mund të takohen në ditët në vijim për bisedime të reja në Arabinë Saudite, ku ekipet ruse dhe amerikane do të takohen gjithashtu në fillim të javës së ardhshme.